Aktuale
Jepet vendimi për 9 të arrestuarit pas tërmetit në Shqipëri
Dolën sot para gjykatës së Durrësit nëntë personat e arrestuar të shtunën e 14 dhjetorit për shembjen e godinave pas tërmetit të 26 nëntorit.
Ishte Prokuroria e Durrësit ajo që kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 9 të arrestuarit.
Edhe gjykata vendosi që të 9 personat të lihen në burg.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat vrasje me dashje, vrasje në rrethana të tjera cilësuese, shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve.
Mes 9 të ndaluarve është 53-vjeçari Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme.
Ahmet Doda, 52 vjeç, drejtor i këtij institucioni është ndaluar me akuzën “Shpërdorimi i detyrës”.
Shkak për këtë veprim është vdekja e kryekomisar Bajram Hajdarmetaj.
Në pranga janë vënë edhe dy ndërtues informal, 79- vjeçari Rruzhdi Xheka për objektin Hotel “Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, dhe Avdulla Osmani, 61 vjeç për ndërtimin në “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë.
Te arrestuarit
1-Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
2-Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
3-Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
4-Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.
5-Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
6-Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
7-Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.
8-Defrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës.
9- Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshuar si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.