Aktuale
Universiteti Polis: “Rindërtimi i Qytetit Shqiptar pas Krizës” me konkluzione për situatën pas tërmetit
Universiteti Polis, Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, A.U.A – Unioni Shqiptar i Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve kanë përgatitur një dokument pozicionimi të quajtur “Rindërtimi i Qytetit pas Krizës – Vetëripërtëritja (resilience) Urbane pas Tërmetit” në përpjekje për të ndihmuar procesin e përmirësimit të parapërgatitjes dhe reagimit ndaj krizave dhe fatkeqësive natyrore.
“Ngjarjet e fund-nëntorit 2019 mishëruan një krizë të paralajmëruar sa i përket sigurisë dhe cilësisë së planifikimit, ndërtimit, administrimit dhe qeverisjes të territorit/qyteteve në të gjitha hallkat dhe dimensionet në Shqipëri. Kjo krizë madhore dëshmoi dështim në qytetbërje, pavarësisht punës së bërë në disa sektorë apo drejtime. Po ashtu ka dalë në pah fakti i mungesës së përgatitjes së mirëfilltë për të përballuar, parandaluar, apo zbutur efektet e katastrofave, apo kriza madhore me karakter shkatërrues. Në këtë moment, ende në kushte të emergjencës, është e natyrshme që energjia dhe vëmendja të fokusohen në adresimin e fazës së parë të krizës. Por, nga ana tjetër, është e rëndësishme që të fillojmë të nxjerrim mësime për të ardhmen; të ndërgjegjësohemi për mënyrën se si duhet të planifikojmë dhe mbi të gjitha se si duhet të zhvillojmë territorin në Shqipëri; dhe të ndërmarrim në këtë moment veprime që do të adresojnë parandalimin, zbutjen dhe menaxhimin e krizave në periudhën afatgjatë. Pra, është e rëndësishme që njëkohësisht me urgjencën, të nisim një proces analize dhe reflektimi të thellë parapërgatitës për krizat e të ardhshmes”, shkruhet në dokument.
Në dokument përfshihen analiza dhe sugjerime të faktorëve ndikues në sektorin urban për rritjen e “resiliences” (aftësisë vetë-ripërtëritëse urbane) së bashku me konkluzionet.
Si fillim dokumenti përpiqet të shpjegojnë konceptin e “urban resilience” për të cilin thonë se është kapaciteti ose aftësia e sistemit urban, përfshirë atë infrastrukturor dhe natyror me të cilin është i ndërlidhur, si edhe ndërveprimin social brenda tij, për t`i bërë ballë streseve të jashtme, krizave e katastrofave; për t`u ripërshtatur pas krizës, sa më shpejt dhe më mirë nga sa ishte para krizës; dhe për pasojë për të arritur një gjendje të re ekuilibri fizik, natyror, social-ekonomik dhe institucional.
Për të lexuar dokumentin e plotë me detaje, klikoni këtë link: https://bit.ly/2PM7ypS