Aktuale
Ndryshimet për pagesën e tatimit në pronë po konsiderohen paradoksale
Ndryshimi i normës për pagesën e tatimit në pronën e paluajtshme i cili ka hyrë në fuqi këtë vit po konsiderohet paradoksal, madje po kërkohet që mënyra e pagesës së kësteve për tatimin në pronë të kthehet siç ka qenë më herët. Ndërkohë qeveria është e lumtur për ndryshimet e bëra në aspektin e pagesës për pronën, pasi kanë ndikuar pozitivisht në grumbullimin e mjeteve.
Deri më tani taksapaguesit e Kosovës është dashur që këstin e parë të pagesës për tatimin në pronë ta paguajnë në qershor, e këstin e dytë në dhjetor. Ndërsa, me këto ndryshime kësti i parë është përcaktuar të paguhet deri në fund të muajit prill, kurse i dyti deri në fund të shtatorit.
Këto ndryshime u bënë me qëllim që komunat t’i vjelin më herët këto të hyra dhe t’i planifikojnë në fillim të vitit.
Por një ndryshim i tillë sipas organizatës Iniciativa për Progres (INPO) nuk ka sjell rezultate të pritura në grumbullimin e të hyrave komunale nga këto pagesa. Ndërsa në Ministrinë e Financave thonë se kjo ka sjell më shumë të hyra për 30 për qind.
Edhe qytetarët po thonë se këto ndryshime kanë sjellë ndëshkime ndaj tyre për shkak se nuk kanë qenë të informuar.
Sipas hulumtuesit në INPO, Qëndrim Arifi, ndërrimi i normës për pagesën e tatimit në pronën e paluajtshme në disa komuna ka sjell regres pasi qytetarët nuk kanë qenë të informuar për këto ndryshime.
Ai thekson për KosovaPress se në mungesë të informimit ndaj tatimpaguesve do të shqiptohen edhe gjoba.
“Mirëpo nëse ne ndalemi dhe shikojmë raportet financiare të shpenzimeve dhe të hyra që i publikon Ministria e Financave shohim se këto nuk ka pasur ndonjë efekt përkundrazi edhe pse do të mblidhen në shtator, shohim që përqindja është thuajse e njëjtë, madje ka edhe regres në disa komuna në krahasim me nëntë mujorin paraprak. Kjo na lë të kuptojmë që me gjasë shumë qytetarë ka mund t’u ikë si afat, pasi që këto ndryshime legjislative duhet të kenë edhe kampanja informuese dhe në atë që kemi parë konsiston se ka mungesë te kampanja informuese sepse shumë qytetarë nuk i dinë këto ndryshime dhe arrijnë ta kuptojnë vetëm atëherë kur ndaj tyre aplikohet gjoba e caktuar”, tha Arifi.
Arifi derisa e ka konsideruar këtë ndryshim si të paarsyeshëm, tha se qytetari po detyrohet të paguaj për diçka që ende nuk ka e ka shfrytëzuar.
Ai madje po kërkon që pagesa e këstit të parë dhe të dytë për tatimin në pronën e paluajtshme të kthehen ashtu siç kanë qenë më herët.
“Ligji ka bërë një ndryshim paradoksal sepse qytetari detyrohet të paguaj për diçka që ende nuk e ka shfrytëzuar për shembull në muajin shtator detyrohet të paguaj për muajin tetor, nëntor, dhjetor parimisht. Është e pa drejt, mirëpo kështu ka vendosur ligji, ndërsa unë mendoj që duhet të pezullohen apo të ketë tolerime derisa qytetarët të mësohen me këto ndryshime se shumë qytetarë jam i bindur se do i aplikohen gjoba vetëm pse ata nuk janë të informuar. Ndoshta edhe të shikohet edhe kthimi siç ka qenë më herë në qershor të paguhet pjesa e parë, ndërsa tjetra në dhjetor… Nuk ka ardhur në shprehje ajo se për çka është arsyetuar ky vendim, dhe për këtë mendoj që më e mira do ishte që të kthehej më herët sepse në instancë të fundit nuk mund ta obligosh qytetarin për diçka që ende nuk ka kaluar, e aq më pak ta gjobitësh”, u shpreh ai.
Lidhur me këtë çështje në departamentin e Tatimit në Pronë pranë Ministrisë së Financave, thonë se ndryshime e bëra në aspektin e pagesës për pronën kanë ndikuar pozitiv në grumbullim të mjeteve.
Drejtori i këtij departamenti, Shkëlzen Morina thotë për KosovaPress se gjatë muajit shtator janë mbledhur 30 për qind më shumë të hyra sesa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Nga janari e deri në fund të nëntorit, janë arkëtuar rreth 26 milionë euro nga tatimi në pronë.
“Është reflektuar mirë ka qenë jashtëzakonisht pozitiv, mirëpo muaji shtator ka qenë jashtëzakonisht pozitiv, bile muaji shtator ka qenë 25 deri 30 për qind sesa të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në përgjithësi të hyrat në tatimin në pronë nga rreth 29 milionë sa parashihen të mblidhen nga të gjitha komunat e republikës gjatë vitit 2019 në total janë mbledhur afër 26 milionë. Është jashtëzakonisht mirë, kemi ecur mirë me këto të hyra…Ka pasur impakt pozitiv sepse përveç asaj që thatë ju për këstin ka ndryshime është me rëndësi se të gjitha vlerat e vlerësuara për objekte nga 10 mijë euro sa kanë qenë lirimet me ligjin e ri e kemi bërë 15 mijë euro…Kjo ka ndikuar shumë që komunat tash janë veç të përgatitura që menjëherë posa të përfundon grumbullimi mund menjëherë t’i fusin dhe t’i kërkojnë alookimet në thesar dhe këto mjete t’i shfrytëzojnë brenda muajit dhjetor”, thotë Morina .
Sipas Morinës, për të gjithë ata që nuk i kanë respektuar afatet për pagesën e tatimit në pronë do pasojnë kamat, e gjoba siç e parasheh ligji në fuqi.
Në anën tjetër, qytetarët kanë treguar se nuk kanë qenë të njoftuar se afati për pagesën e kësti i dytë të tatimit në pronë ka qenë vetëm deri në fund të shtatorit.
Madje ka edhe prej atyre që edhe janë gjobitur.
Muharrem Sopjani tha se ka dy javë që e ka paguar këstin e dytë të tatimit në pronë.
Ai thotë se nuk ka qenë i informuar se afati i fundit për pagesën e këstit të dytë ka qenë deri në fund të shtatorit.
Jo që nuk është i informuar për ndryshimet në ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme, por madje Ibrahim Morina nga komuna e Rahovecit, thotë se për shkak se e ka bërë pagesën muajin e kaluar ka paguar një përqindje më të lartë këstin e dytë.
Neni 20 i Ligjit për Tatimin në Pronat e Paluajtshme saktësohet që secili tatimpagues i cili nuk e paguan tatimin mbi pronën në datën ose para datës së përcaktuar për pagesë do t’i shtrohet dënimit në një shumë të hollash që është e barabartë me 10% të obligimit tatimor. Kurse, neni 21 thotë se kamata vihet në tatimin e papaguar dhe në tarifa vjetore të krijuara dhe të publikuara nga Administrata Tatimore e Kosovës. Tarifa e kamatës së tillë nuk duhet ta tejkalojë tarifën, e cila është e përcaktuar me Ligjin për administratën tatimore dhe procedurat dhe aktet nënligjore. Kamata do të llogaritet në baza mujore nga data kur duhet të paguhet tatimi deri në datën kur paguhet tatimi.