Aktuale
Komuna e Podujevës ndan mbi 6 milionë euro për investime kapitale për vitin 2018
Kuvendi i Komunës të Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar Buxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2018 dhe parashikimet buxhetore 2019-2020; Rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2018; Rregulloren për taksa, tarifa dhe gjoba komunale dhe vendimin për fillimin e hartimit të Hartës Zonale të Komunës së Podujevës
Gjatë shqyrtimit të rendit të ditës me propozimin e këshilltarëve komunalë, Haki Rudari dhe Lutfi Rexhepi, Kuvendi vendosi që dy pika të rendit të ditës të parapara për këtë mbledhje, Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare të Komunës së Podujevës për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2016 dhe raporti financiar i Komunës së Podujevës për periudhën janar – qershor 2017, të barten për shqyrtim në seancën e ardhshme, e ku do të futen për shqyrtim edhe raporti i Drejtorisë së Arsimit për përfundimin e vitit shkollor 2016/17 dhe fillimin e vitit të ri shkollor 2017/18 si dhe një informatë lidhur çështjen e furnizimit me ujë të pijes për fshatin Orllan.
Lidhur me propozimin e vendimit për miratimin e projektbuxhetit të Komunës së Podujevës për vitin 2018 dhe parashikimet buxhetore 2019-2020, këshilltarët i informoi drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi.
“Ministria e Financave me Qarkoren 2018/02 ka përcaktuar kufijtë finale të buxhetit për vitin 2018 si dhe projeksionet për vitin 2019-20. Sipas kësaj Qarkoreje buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2018 është 20,953,255 euro. Kjo strukturë buxhetore është e përbërë prej dy burimeve: Grandi Qeveritar në shumën prej 19,395,641 euro dhe ë hyrat vetanake në shumën prej 1,557,614 euro”, tha drejtori Latifi, duke shtuar se shpenzimet e ndara sipas kategorive ekonomike janë si vijon: Shpenzimet totale për paga janë 11,645,660 euro, ose 55.58% e buxhetit; shpenzimet për mallra dhe shërbime 1,924,698 euro, ose 9.19% e buxhetit; shpenzimet komunale 324,500 euro, ose 1.55 % e buxhetit; subvencione 568,883 euro, ose 2.71 % e buxhetit dhe për investime kapitale 6,489,514 euro, ose 30.97 % e buxhetit.
Më tej drejtori Latifi ka folur për planifikimin dhe strukturën e ndarjes së mjeteve nëpër drejtoritë përkatëse.
Projektbuxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2018 dhe parashikimet buxhetore 2019-2020, në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së e ka përkrahur këshilltari Hasan Softolli, i cili tha se është një projektbuxhet që do të shpenzohet për rregullimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e komunës.
Ndërsa, shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica dhe ai i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari, bënë vërejtje lidhur me mos specifikimin e projekteve të planifikuara dhe ndarjen e mjeteve buxhetore në kategori të ndryshme dhe mos përfshirje të projekteve të ndryshme në bazë të kërkesave të qytetarëve. Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës diskutuan edhe këshilltarët Kumrije Hoti, Lutfi Rexhepi, Flakron Gashi, Bahri Selimi dhe Adelina Stublla.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Faik Muçiqi dhe drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Durim Salihu, dhanë sqarime lidhur me vërejtjet dhe sugjerimet e këshilltarëve për projektbuxhetin e vitit 2018.
Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë të rendit të ditë, Kuvendi me shumicë votash miratoi projektbuxhetin e Komunës së Podujevës për vitin 2018 dhe parashikimet buxhetore 2019-2020 si dhe propozimin e Rregullores për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2018.
Kuvendi në mbledhjen e sotme shqyrtoi edhe propozimin e Rregullores për taksa, tarifa dhe gjoba komunale.
Lidhur me këtë dokument të pranishmit i informoi drejtori BPZHR, Avni Fetahu, i cili tha se me rregulloren e re krijohen lehtësime për të gjitha kategoritë taksapaguese dhe atyre që duan të fillojnë veprimtari biznesore në Komunën e Podujevës.
Drejtori Fetahu tha se krahasuar me rregulloren e deritashme, me rregulloren e re parashihen zbritje të taksave të ndryshme deri në 50%.
Pas diskutimeve Kuvendi miratoi me shumicë votash Rregulloren për taksa, tarifa dhe gjoba komunale.
Në mbledhjen e sotme, Kuvendi miratoi edhe vendimin për fillimin e hartimit të Hartës Zonale të Komunës së Podujevës si dhe programin e punës për hartimin e Hartës Zonale.