Aktuale
“Pako fiskale 2.0, marketing politik dhe mashtrim i bizneseve”
Një delegacion i Aleancës Kosovare të Bizneseve, i kryesuar nga kryetari Agim Shahini, është takuar me ministrin e Financave Bedri Hamza, me të cilin kanë biseduar lidhur me politikat fiskale në vend dhe avancimin e tyre si dhe për ngecjet ekonomike. AKB-ja dhe bizneset kanë marrë mbështetje në realizmin e kërkesave nga ana e ministrit të financave.
Agim Shahini, kryetar i AKB-së, tha se si organizatë lidere në Kosovë për promovimin e prodhimeve vendore dhe mbrojtjen e interesave të biznesit kosovar edhe njëherë ia prezantoi disa nga sfidat me të cilat po ballafaqohet sektori privat në Kosovë.
Sipas tij, ekonomia e vendit vitin e kaluar ka shënuar parametra negativ pothuajse në të gjitha sektorët duke përfshirë “tkurrjen e prodhimtarisë vendore, rënien e eksportit, investimet e huaja mbi 100 milionë euro më pak, rritjen e numrit të bizneseve të shuara nga viti 2015”, dhe e tërë kjo, sipas AKB-së, si pasojë e politikave fiskale jo të favorshme dhe të shtrenjta për të zhvilluar biznesin prodhues në Kosovë.
Ai tha se pako 1 fiskale nuk dha rezultatet e premtuara dhe të pritura. Ndërkaq, theksoi se Pako 2.0 fiskale ishte marketing politik për më shumë se 2 vite dhe ishte “mashtrim i bizneseve të Kosovës” se kjo do të ndodhë shumë shpejt pas takimeve që i kemi patur në vazhdimësi.
Kryetari i AKB-së kërkoi që të hiqen të gjitha ngarkesat tatimore për importin e lëndës së parë dhe teknologjisë prodhuesve pa kushte.
“Të fiskalizohen të gjitha bizneset që operojnë në Kosovë sepse kjo po krijon pabarazi në treg. Të luftohet informaliteti, korrupsioni, nepotizmi dhe dukuritë tjera negative. Të ri-aktivizohet Bordi i Pavarur për Rishqyrtime si e drejtë e humbur kushtetuese për të drejtat e bizneseve në shkallën e dytë të anikimimit. Të funksionalizohet Këshilli Konsultativ në mes Ministrisë së Financave, Bizneseve ATK dhe Dogana. Plotësimi i kodeve të reja tarifore sipas praktikave të tregjeve ndërkombëtare e të BE-së. Krijimi i listës së rejtingut për prodhuesit e Kosovës. Heqja e akcizës për pijet joalkoolike në Kosovë. Finalizimi udhëzimit administrativ për pushimet tatimore. Të vazhdohet afati për shlyerjen e borxheve publike edhe për një vit dhe pa kushte. Mbështetja e promovimit të prodhimeve vendore në Kosovë, rajon dhe më gjerë. Ligji për investime strategjike të plotësohet me udhëzime administrative dhe të funksionalizohet sa më shpejt”, tha Shahini.
Bedri Hamza, ministër i Financave, i ka premtuar presidentit të AKB-së dhe prodhuesve vendës se thuajse të gjitha kërkesat e parashtruara sot do të realizohen.
“Prioritet ynë kryesor do të mbetet sektori privat. Prodhuesit janë bartës të punësimit dhe zhvillimit ekonomik dhe krejt fokusi ynë do të jetë në favor tuajin”, tha Hamza.
Ministri i financave premtoi se të gjitha ato vendime të pafavorshme do të hiqen dhe do të aplikohen ato që duhet të ndikojnë në zhvillimin e sektorit privat.
“Vendi ka nevojë për stabilitet ekonomik dhe do të bëjmë gjithçka që sektori privat të zhvillohet, kur dihet se sektori publik është i mbingarkuar. Fokus do të jenë edhe investitorët e huaj që do të trajtohen, por pa lënë anash as investitorët vendës. Nuk do të lejojmë që bizneset të shantazhohen e fyhen, por do t’i trajtojmë si është më së miri”, tha ministri Hamza.