Arkitekturë
Projekti universitar i studentes Evelina Nushi për zonën industriale në Pejë
Ndër projektet e shumta dhe ambicioze që prezantohen thuajse çdo ditë nga arkitektë të rinj të Kosovës, është edhe projekti i një blloku urban afarist dhe banim kolektiv, nga arkitektja Evelina Nushi, të cilin ajo e kishte punuar në tezën e diplomës në studimet master.
Shkruan: Agnesa Sejdiu
Projekti paraqet bllokun e ndërtuar në një parcelë 12.5 hektarë të pozicionuar në zonën industriale të Pejës, ku është hulumtuar rëndësia e planifikimit urban dhe gjendjes aktuale të asaj zone.
Arkitektja Nushi, për Ndërtimi.info ka thënë se ky dokument synon të elaborojë problemet që paraqiten nga mungesa e identitetit urban, nevojën e banorëve për këtë zonë, dhe krijimin e një zone komode për gjithë grup moshat e njerëzve.
“Propozimi i bllokut urban bazohet në idenë e lidhjes shoqërore dhe jetesës komunitare duke u nisur nga elementet e bllokut urban siç janë: rruga, parcela, ndërtesa dhe hapësira. Koncepti i bllokut është interpretim bashkëkohor i një blloku urban të ardhshëm në një qytet të qëndrueshëm. Qëllimi i propozimit është krijimi i procesit të organizimit dhe theksimi i marrëdhënieve themelore shoqërore dhe morfologjike të planit”, tregon Nushi.
Projekti është krijuar mbi disa kërkesa të cilat përfshijnë katër objektivat e një ambienti të qëndrueshëm dhe përbëhet nga pesë objektivat kryesore të dizajnit urban: mobiliteti, shfrytëzimi i tokës, mjedisi natyror, menaxhimi i burimeve dhe aspektet ekonomike.
Një qytet i qëndrueshëm, sipas arkitektes, nënkupton përshtatjen, riorganizimin, reformimin dhe rigjenerimin, dhe blloku i ardhshëm urban është propozim i një forme urbane fleksibile që përshtatet në bazë të nevojave të komunitetit.
“Udhëzimet e propozuara janë lëvizshmëria, rrjeti rrugorë dhe lidhjet, mënyrat e transportit, shfrytëzimi i tokës, objektet publike, shfrytëzimi i përzier, mjedisi natyror, menaxhimi i burimeve natyrore dhe aspektet ekonomike”, tha ajo.
Disa nga karakteristikat e këtij projekti, ndër të tjera janë qasja dhe infrastruktura, projekti përfshin rrugë për kamionë, transport urban publik, rrugë për vetura, shtegun për biçikleta, shtigje të gjelbërimit dhe për këmbësorë. Pastaj vendbanimi, ambient i shfrytëzueshëm 24 orë, qasje e qëndrueshme e dizajnit, ndarja e hapësirave publike, shtimi i hapësirave të gjelbra, rregullimi i lumenjve dhe gjallërimi i qytetit, përparësia për këmbësorët dhe çiklizmin dhe bashkëpunimi mes banorëve të qytetit dhe transparenca.
Meqë si projekt madhor kërkon mjaft analiza, kohë dhe përkushtim, Evelina Nushi, ka punuar nëntë muaj në mënyrë intensive për ta finalizuar atë, gjithmonë me konsultime të rregullta me mentorin e saj.
Ai është vlerësuar mjaft mirë nga profesorët, madje ata propozuan që projekti të publikohet, duke e cilësuar të vlefshëm dhe që do të shërbente si shembull për aplikim gjatë hartimit të planifikimit urban nga komuna e Pejës.