Aktuale
Inxhinierja e ndërtimit: Edhe qytetarët duhet të paguajnë në ndërtimin e banesave
Në mbledhjen e dytë të Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, inxhinierja Luljeta Bozo tha se në situatën ku ndodhet vendi pas tërmetit është emergjencë hartimi i një pasqyre të qartë mbi shkallën e dëmeve në ndërtesa.
Sipas saj duhet të ketë një plan organizimi, veçanërisht në fshatra, ndërsa për në qytet, ajo u shpreh se shqetësim është fakti se shumë ndërtesa, që na struktura duken mirë, mund të kenë shumë ndërhyrje që e bëjnë atë të rrezikshme për situata të mëvonshme.
“Deri tani kemi një evidentin, që mund të ndryshojë pak, por kjo duhet specifikuar tani, sidomos në zonat rurale. Cilat janë ato ndërtesa që janë shembur fare dhe njerëzit janë në çadra, cilat janë dëmtuar pak, kjo duhet specifikuar dhe duhet bërë sa më shpejt. Ekspertët i kemi, kjo duhet mbyllur sa më shpejt, brenda një javë duhet të kemi pasqyrën si kemi shkallën në dëmtime. Pas kësaj duhet bërë një plan organizimi, duhet ta bëjë njësia vendore.
Të organizojë punën, të fillojë me ata që janë në qiell të hapur. Duhet të ketë një plan organizmi, po nuk pati afate dhe njerëz përgjegjës, se ndryshe nuk bëhet gjë. Të mbledhin të gjithë zonën, në mënyrë që çdo gjë të bëhet transparente dhe që këtu nuk ka hile, se i dinë njerëzit, por kur i shikojnë atje nuk ka më numra. Kjo duhet të jetë shumë e organizuar. Ato shtëpitë e reja janë shumë të mira, por nuk di sa do t’i pranojnë në fshat. Është problemi i fondit, do ta mbulojë të gjithë shteti, apo një pjesë individi? Unë them që duhet të japë edhe individi një kontribut. Kush i tha ta ndërtojë shtëpinë pa themel? Një pjesë të përgjegjësisë duhet ta mbajë dhe ai që ka shkelur të gjitha rregullat dhe ka bërë si ka dashur”, tha ajo.
Sipas saj edhe qytetarët të kontribuuojnë në rindërtimin e banesave të tyre, të cilat janë prekur nga tërmeti.
“Duhet ndarë për ndërtimin e banesave të reja, a do paguajë qeveria apo individi? Unë mendoj që duhet të paguajë një pjesë edhe individi. Kush të tha ta bësh shtëpinë pa themel, pa kollona. Bën katin e parë dhe bën të dytin. Pa teknik. Nuk po them gjë për inxhiner po një teknik se janë bërë të gjithë ndërtues,”-tha ndër të tjera inxhinerja.