Aktuale
Këshilltari i Ministrit të Ambientit thotë se s’po vendosin haraç në hyrje të parqeve nacionale
Leutrim Sahiti, Këshilltar i Ministrit në largim të Ambientit ka shtruar pyetje se si është e mundshme të quhet haraç vendosja e një pagese për gjithë ata që do të shkojnë në Bogë, Rugovë e Prevallë. I ka dhënë vetes përgjigje duke thënë se një cilësim i tillë është i pabesueshëm.
Ky reagim i Sahitit ka ardhur pasi Express ka shkruar se “Shteti pritet të vendosë haraç për ata që shkojnë në Bogë, Prevallë e Rugovë”.
Sahiti e ka vlerësuar vetën dhe përgjigjet që i ka dërguar Gazetës Express. Ka bërë edhe analizë përmbajtjesore të titullit, duke konstatuar se gjithçka lidhet me klikime.
“Së pari në përgjigjet që ua kam derguar redaksisë së gazetës në fjalë e kemi sqaruar shumë mirë se përse po bëhen këto masa në parqet nacionale por si duket qëllimi nuk ka qenë të thuhet e verteta por të nxirret një titull i tillë që nxitë klikime”, ka shkruar Sahiti.
“Vendosja e laurave në parqet nacionale nuk është së po bëhet vetëm në Kosovë, një gjë e tillë është pothuajse në të gjitha shtetet e Evropës”, ka shkruar ai.
“Me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës si dhe menaxhimin e parqeve kombëtare janë të parapara kompenizmet për çdo lloj të shfrytëzimit të resurseve dhe hapësirës së parqeve kombëtare nga bizneset dhe vizitorët, nder të tjerash dhe për hyrje në territorin e parqeve kombëtare. Prandaj qëllimi kryesor i vendosjes së laurave është mbrojtja e këtyre resurseve natyrore nga veprimet ilegale që ndodhin në territorin e Parqeve Kombëtare siç mund të jenë: prerja e pyjeve, ndërtimet ilegale, gjueti ilegale si dhe degradimet tjera që ndodhin në territorin e Parkut”, ka shkruar ai.
Express ka shkruar sot se qytetarët e Kosovës nuk do të paguajnë haraç vetëm në Rrugën e Kombit.
Shumë shpejt, ata do të detyrohen të paguajnë edhe kur vizitojnë Bogën, Prevallën, Rugovën e parqet e tjera nacionale në vend.
Shuma e parave që kosovarët do të duhet të paguajnë për të kaluar tutje laurave për një ditë shkon deri në 3 euro, varësisht se me çfarë automjetesh do t’u drejtohen këtyre qendrave.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i kanë thënë Gazetës Express se kompenizmet për çdo lloj të shfrytëzimit të resurseve dhe hapësirës së këtyre parqeve janë të parapara me legjislacionin për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës si dhe menaxhimin e parqeve kombëtare.
Zëdhënësi i MMPH’së, Leutrim Sahiti, ka thënë se arsyeja e vendosjes së laurave nëpër këto qendra është mbrojtja e tyre nga veprimet ilegale.
“Prandaj, qëllimi kryesor i vendosjes së laurave është për mbrojtjen e këtyre resurseve natyrore nga veprimet ilegale që ndodhin në territorin e Parqeve Kombëtare, siç mund të jenë: prerja e pyjeve, ndërtimet ilegale, gjuetia ilegale si dhe degradimet e tjera që ndodhin në territorin e parkut”, ka thënë Sahiti.
Por, ndonëse vendosja e tyre është paralajmëruar që nga viti i kaluar, ende nuk është filluar me pagesa. Për këto vonesa, në Ministrinë e Mjedisit e drejtojnë gishtin kah kompania fituese e tenderit.
“Ju informoj se hyrjet në parqe kombëtare nuk kanë filluar ende me pagesë, sepse operatori ekonomik për ndërtimin e laurave është në fazën finale të ndërtimit dhe të pranimit teknik”, thuhet në përgjigjet e MMPH’së drejtuar Gazetës Express.
Deklarojnë se edhe drejtoritë e parqeve kombëtare kanë mungesa në staf rreth menaxhimit të këtyre laurave “dhe se në momentin që do të gjendet zgjidhja e problemit me staf, atëherë do të funksionalizohen dhe do të fillojë edhe sistemi i pagesave sipas rregullores për shërbimet e AMMK-së dhe institucioneve të saj.”
Në tabelën me çmime që ka siguruar Express nga MMPH’ja, thuhet se çmimet për hyrje dhe vizita për një ditë në këto parqe fillojnë nga 50 centë e deri në 3 euro.
Hyrja për fëmijë të moshës 10 deri 18-vjeçare kushton 50 centë në ditë, derisa për persona të rritur është 1 euro.
1 euro kushton edhe hyrja për automjete dhe motoçikleta, ndërkohë që për të hyrë me kombibus në këto parqe duhet të paguhen 2 euro.
Kosto më të lartë ka hyrja me autobus dhe kamionë. Kushdo që ua mësyn këtyre parqeve me këto automjete do të duhet t’i paguajë 3 euro për një ditë.
Në MMPH deklarojnë se këto pagesa janë të rregulluara sipas Rregullores për Shërbimet e AMMK-së dhe institucioneve të saj.
Ndryshe, një pagesë e tillë tashmë aplikohet në Brezovicë. Laura në këtë qendër turistike është vendosur në janar të vitit 2018 nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Sidoqoftë, që nga aplikimi i kësaj takse, shumë qytetarë janë shprehur kundër saj. Sipas tyre, së pari do të duhej të investohej nëpër qendrat turistike dhe pastaj të vendosej taksa.