Aktuale
Tërmetet, dëshmi për ndërtimet e dobëta në Kosovë
Ndërtesat e ndërtuara pas luftës në Kosovë janë kryesisht të pasigurta në raste të lëkundjeve të tokës. Tërmeti që ndodhi më 26 nëntor në Shqipëri rrëzoi shumë ndërtesa dhe i bëri të pabanueshme shumë të tjera. Kjo shpërfaqi ndërtimet e dobëta dhe të pakritera që janë bërë atje. Më mirë nuk qëndron as Kosova, profesorë të ndërtimtarisë e arkitektë në Kosovë pohojnë se ndërtimet që janë bërë që nga paslufta në Kosovë janë të pasigurta, shkruan Zëri.
Ata theksojnë se nuk janë aplikuar kriteret e nevojshme të ndërtimit dhe të mbikëqyrjes, madje nuk janë bërë inspektime nga organet kompetente as për ndërtesat ekzistuese. Ata vlerësojnë se objekte shumëkatëshe janë ndërtuar pa studim gjeologjik, sizmik dhe gjeomekanik të nëntokës, proces që në shumë vende të tjera është i detyrueshëm. Injorimi i këtyre procedurave mund të jetë fatal në rast të tërmeteve, që kanë shkallë të lartë të magnitudës. Për gjithë këtë katrahurë të ndërtimeve organet shtetërore janë ato që po konsiderohen fajtore dhe që duhet të thirren në përgjegjësi.
Shemsi Mustafa, drejtor i Institutit Sizmologjik, ka deklaruar se tërmetet janë dëshmia kryesore e ndërtimeve pa standarde në Kosovë, për të cilat qytetarët po i paguajnë pasojat. Ai thotë se organet kompetente janë të obliguara ta bëjnë vlerësimin e analizën e rrezikut sizmik në ndërtimet ekzistuese në raport me tërmetin e pritshëm sipas hartës se rrezikut sizmik, pasi tërmetet nuk vrasin njerëz, por janë ndërtesat ato që bëjnë një gjë të tillë.
“Shumë struktura të ndërtuara në masë të madhe janë projektuar pa trajtim adekuat ndaj forcave nga tërmeti. Shumë objekte shumëkatëshe janë ndërtuar pa studim gjeologjik, gjeofizik dhe gjeomekanik të nëntokës, proces që në shumë vende është i detyrueshëm. Injorimi i kësaj procedure mund të sjellë pasoja të paparashikueshme në të ardhmen, për shkak se shumë zona në vendin tonë janë zona aktive sizmike”, ka theksuar ai.
Ndërsa Violeta Nushi, inxhiniere e arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, ka deklaruar për gazetën se vlerësimi dhe konstatimi përfundimtar për qëndrueshmërinë e ndërtesave është proces i kontrolluar dhe i verifikuar, i cili arkivohet në dosjet e secilit objekt të ndërtuar. “Është më rëndësi se kur, si dhe sa i referohemi vlerësimit të qëndrueshmërisë së ndërtesës në kuptimin e rezistencës së materialit, të teknikës dhe të teknologjisë së ndërtimit, të kualitetit dhe të kuantitetit të materialit ndërtimor, të kontekstit kohor dhe mjedisor të ndërtesës”, ka nënvizuar ajo.
Tutje ajo ka treguar edhe për mënyrën se si duhet të bëhet mbikëqyrja e objekteve.
“Mbikëqyrja e objekteve është e definuar sipas fazës ose kohës së planifikimit, të projektimit, të ndërtimit dhe të operimit të ndërtesës. Mbikëqyrja e objekteve në fazën e ndërtimit është e përcaktuar dhe e obliguar me ligj. Për mosaplikueshmëri të ligjit do të duhej të sanksionohej i gjithë qarku vendimmarrës. Në të kundërtën pasojat pastaj janë shumë-shumë më të mëdha, jo vetëm në rastet e fatkeqësive natyrore, por edhe të atyre tekniko-teknologjike gjatë procesit të ndërtimit dhe të mirëmbajtjes së ndërtesave”, ka përfunduar Nushi. //ZERI