Aktuale
Një qytetar nga Ferizaj bie në tunelin e projektit “Bashkimi i Qytetit”
Para pak minutash një qytetar rreth 55 vjeçar ka marrë lëndime trupore derisa ka rënë disa metra në tunelin e projektit të ashtuquajtur “Bashkimi i Qytetit” në Ferizaj, raporton Koha Ditore.
Ky projekt prej kohësh po kritikohej si pasojë e mungesës së masave të sigurisë. Madje në këtë projekt nuk janë vendosur as rrethojat e sigurisë. Para pak ditësh është rrëzuar edhe një shtyllë e betonit e cila pati lënduar disa qytetar.
Rreth ngjarjes së fundit ka reaguar edhe subjekti i LDK-së duke e kritikuar komunën për mungesë të sigurisë.
Valon Halimi anëtar i kryesisë së LDK-së në Ferizaj, nëpërmjet një komunikate ka njoftuar se Projekti i ashtuquajtur “Bashkimi i qytetit” ne Ferizaj është shndërruar në kërcenim për jetën e qytetarëve.
“Kjo dëshmohet dhe tregon se kjo ngjarje fatkeqe që u shënua para pak çastesh në ‘gropën e pushtetit’ , i cili po punon pa asnjë masë sigurie dhe pa asnjë standard. Në mungesë të parmakeve mbrojtës dhe masave sinjalizuese qytetarë fatkeq mund të jetë secili prej nesh”, ka thënë Halimi.
Sipas tij, kryetari i kësaj komune Agim Aliu, po shëtit nëpër Evropë gjatë këtyre ditëve me paratë e qytetarëve të cilët po rrezikohen nga projektet e tij që nisën si nënkalime e përfundojnë në objekte biznesi nëntokë për klientelën e tij.
“Devijimet e projekteve pas nënshkrimit të kontratave tashme janë ‘moda’ e tij. Megjithatë, shpresoj që qytetari ynë i pafajshëm do të rehabilitohet dhe t’i kthehet familjes”, ka thënë Halimi nëpërmjet komunikatës.