Aktuale
Shtohen punimet e Komunës në rrugë, prishtinasit thonë se këto duhej kryer verës
Në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës, janë shpeshtuar postimet e kryetarit Shpend Ahmeti. Me anë të postimeve, ai çdo ditë njofton për punime të reja në infrastrukturën rrugore të kryeqytetit.
Fluksi i këtyre rikonstruktimeve rrugore ka tërhequr vëmendjen e banorëve. Sipas tyre, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, po i bën këto pas rezultatit jo të mirë në zgjedhjet e 6 tetorit dhe afrimit të zgjedhjeve lokale.
Ndonëse riparimet e intervenimet rrugore ende po vazhdojnë, qytetarët ndihen të pakënaqur. Ata thonë se pasiviteti i të parit të komunës për gjysmën e vitit dhe fluksi i rregullimit të rrugëve në muajt e fundit janë totalisht të gabuara. Këto punë, sipas tyre, është dashur të bëhen në stinën e verës, raporton 038 në KTV.
E ajo e cila merret me këto, Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe e Menaxhimit të Kontratave në Prishtinë, nga buxheti i vitit 2019, kishte të ndara gjithsej 13.765.000 €, të cilat rishtazi po shpenzohen për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonat urbane e rurale të qytetit.
Sipas drejtorit të Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave, Gëzim Mehmeti, deri më tani kanë përfunduar 30 rrugë, e në punime janë 170 të tjera. Ai shprehet se vetëm gjatë këtij muaji janë shpenzuar rreth 4 milionë euro.
procesi i janë nënshtruar rrugët “Gazmend Zajmi”, “Karl Gega”, “Bill Klinton”, “Qamil Hoxha”, “Iliaz Kodra”, “Dëshmorët e Shabanit”, “Ali Pashë Gucia”, “Dardania”, “Bregu i Diellit”, “Pejton”, e shumë të tjera.
Gëzim Mehmeti thotë se sanimi i gropave, ndërtimi i parqeve, shtigjeve për këmbësorët dhe riparimi i shkallëve, janë 4 nga kontratat kryesore të këtij viti, mirëpo jo të gjitha do të përfundojnë në kohë. E ato të cilat nuk përfundojnë në vitin 2019, për shkak të reshurave atmosferike, do të barten në vitin e ardhshëm, përfshirë këtu edhe buxhetin.
Arsyeja e vetme e zvarritjes dhe e pasivitetit të komunës në këtë rrugëtim, sipas tij, duken të jenë procedurat ligjore dhe fazat e tenderimit të cilat medoemos duhet të zbatohen.
I pari i kësaj drejtorie thekson se plotësimi i kërkesave të qytetarëve është i rëndësisë parësore për të.