Aktuale
Inxhinierja veterane e Shqipërisë tregon pse u shkatërruan ndërtesat
Inxhinierja Luljeta Bozo ngre alarmin mbi sigurinë e objekteve në Shqipëri dhe mungesën e kuadrit ligjor për të kontrolluar dhe disiplinuar ndërtimet në vend.
Bozo pohon se objektet që u shembën në Durrës dhe Thumanë kanë pasur probleme të theksuara strukturore dhe janë ndërtuar në zona që nuk lejohet të ndërtohet.
Ajo apelon që qeveria, sa më parë duhet të miratojë në Kuvend kodin e ndërtimit dhe në bazë të tij të krijojë një grup me ekspertë të fushës për kontrolluar godinat ekzistuese dhe për të vendosur standarde të detyrueshme për ato që do të ngrihen.
“Ndërtimet, në ato zona ku kanë ndodhur shembjet, kanë qenë patjetër me probleme. Një ndërtim i projektuar drejt, nuk pëson gjë. Inxhinierët kur bëjnë llogaritjet marrin parasysh çfarë objekti po projektojnë, sa të gjatë e ka jetën dhe sa herë mund të përballet me tërmetet. Inxhinieri mund të marrë masa deri për tërmete 9 ballë me shkallën e vjetër. Shqipëria ndodhet në zonën që quhet ‘Brezi i zjarrtë’ që është gjithë zona e Mesdheut. Është kufiri ndarës i dy pllakave EuroAzisë me Afrikën dhe në këtë zonë ndodhin 25% e tërmeteve që ndodhin në botë. Njerëzit duhet ta kuptojnë që ne jemi në një hapësirë që do të lëkundemi herë pas here”, sqaron inxhinierja Bozo.
Bozo tha më tej se gabimet e inxhinierëve në zbatim dhe projeksion, dalin gjatë tërmeteve.
“Godinë që pati këtë problem, ku dheu u kthye në llum, ajo nuk u zhyt, por u palos (në Kënetë). Ndoshta kjo gjë ka ndodhur edhe në këto raste, por s’mund ta them me siguri. Duhej të bëheshin analiza të dheut, nëse aty mund të ndërtohej apo jo. Ky studim është bërë nga studiues tanët shumë të mirë para viteve 90. Sipas ndarjes tektonike Durrësi ka qenë problematik. Nëse themelet janë të shëndetshme, strukturat punohen fare normale. Gabimet e inxhinierëve në zbatim dhe projeksion, dalin gjatë tërmeteve. Nëse bëhen ndërtimet me rregulla shumë të qartë, gjerat do ishin ndryshe. Kemi ikur nga 6-katëshi dhe kemi ndërtuar tek 8-10-20 katëshi gati në breg të detit. Ky është një problem në projektim. Edhe nëse ne kemi bazë të fortë, mund të ndodh gërryerja e themeleve pas ca viteve. Mendoj se këto raste janë gabime në projektim dhe zbatim”, pohoi ajo.
Sipas saj, nuk ka pse të ketë panik, sepse tërmetet do të jenë prezent gjithmonë, duke marrë parasysh se Shqipëria bën brezin e vendeve që do të regjistrohen fenomene të tilla.
“Tërmeti i 21 shatorit, nëse ka dhënë një goditje të parë tek banesat, nëse ka pasur plasaritje, me një tjetër të dobët mund të ishin rrëzuar. Detyrua e organeve shtetërore duhet të bëjë klasifikimin e dëmeve, që të parandalohet situata. Nuk ka pse të ketë panik, sepse tërmete do kemi gjithmonë, pasi këtu jetojmë. Ne jemi në brezin që do të kemi tërmete, duam s’duam ne. Njëherë në kaq kohë do ta ndjejmë një tërmet mbi kurrizin tonë. Duhet të kemi objekte sa më të qëndrueshme”, përfundoi ajo.