Aktuale
Orët e “tmerrit” për Shqipërinë, pasojat e tërmetit të fuqishëm
Shqipëria është goditur nga një fatkeqësi natyrore. Një tërmet me magnidutë 6.4 ballësh ka lënë të vdekur 20 persona e mbi 600 të lënduar. Por, shifrat mund të ndryshojnë pasi ende ka njerëz nën rrënojat e objektet të shkatërruara. Ne mesin e viktimave raportohet se janë edhe dy vëllezër nga Gjilani – Isa dhe Shemsedin Abazi, disa fëmijë, një mashkull nga Kosova dhe një oficer policie.
Hotele e pallate banesore janë shkatërruara tërësisht, në rrënojet e të cilave ende po vazhdon operacionit kërkim-shpëtimit, për të nxjerr ndonjë të mbijetuar apo trupa të viktimave të mundshme, transmeton Ndërtimi.info.
Tërmeti i fuqishëm ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të së martës, i cili është ndjerë edhe në Kosovë. Ky termet është shoqëruara me lëvizje të herë pas hershme me magnidutë më të ulët.
Nga lëkundjet e tokës me epiqendër në Detin Adriatik, zonat më të prekura janë ajo e Durrësit dhe e Thumanës, ku janë shënuar të gjitha viktimat.
Gjithashtu u raportua se dy vëllezërit kosovar mbetën nën gërmadhat e hotel “Tropikal” në Durrës, të cilët u nxorën të vdekur pas disa orësh kërkime.
Tërmetit nuk i kanë shpëtuar as objektet e trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Dëme ka pësuar Kalaja e Durrësit si dhe ajo e Krujës.
Drejt Shqipërisë janë nisur ekipe të Ushtrisë së Kosovës për t’u dal në ndihmë qytetarëve të prekur nga ky termet. Ndërsa në një mbledhje të jashtëzakonshme Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 500 mijë euro ndihmë për Shqipërinë.
Një aksion humanitar është ndërmarrë edhe nga grupi i tifozëve “Plisat”. Ata në qendër të Prishtinës kanë vendosur një pikë grumbulluese për vesh-mbathje dhe gjëra të nevojshme për qytetarët e Shqipërisë. Shqipërisë në ndihmë i kanë dal edhe kompani, parti politike e qytetarë të shumtë të Kosovës.
Për shkak të tërmetit i cili konsiderohet më i fuqishmi në dekadat e fundit, Shqipërisë në ndihmë i kanë dal të gjitha vendet fqinje.
Ndërkaq, sizmiologët kanë paralajmëruar se dridhje të lehta mund të ketë edhe në orët në vazhdim, duke theksuar se rreziku për tërmetet të fuqishme ka kaluar. Shqipëria ishte goditur nga një termet të magnitudës 5.8 në shtator të këtij viti, ku shkaktoi të lënduar e dëme materiale.