Aktuale
Lokacioni për Spitalin e Prishtinës do të caktohet në vitin 2020
Më 2 shtator të këtij viti është nënshkruar kontrata për studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit detal të Spitalit të Prishtinës. Mirëpo, gjetja e një lokacioni të përshtatshëm për ndërtimin e këtij spitali nuk pritet të bëhet deri në vitin e ardhshëm.
Qytetarët e Prishtinës, duhet të shkojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës apo nëpër qendrat e mjekësisë familjare, për të kryer kontrolle shëndetësore. Kjo, pasi kryeqyteti end enuk e ka spitalin e vet.
Ani pse ishte premtuar kohë më parë, vetëm gjatë këtij viti ka arritur të bëhet një hap drejt ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.
Por, lokacioni për ndërtimin e këtij spitali nuk është vendosur dhe duket se nuk do të vendoset të paktën deri në fillim të vitit 2020.
Këtë e ka bërë të ditur asambilstja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në Komunën e Prishtinës, Fiknete Bejta.
“Pas pranimit të planit detal nga kompania që po e bën studimin e fizibilitetit shpresojmë në fillim të vitit”, ka treguar Bejta.
Bejta e ka propozuar një lokacion për ndërtimin e spitalit. Ajo thotë se vendi ideal do të ishte hapsira e Kazermës së dikurshme të TMK-së në Llukar të Prishtinës.
“Në cilësinë e Këshilltares Komunale kërkoj nga Komuna që ky spital të ndërtohet në hapsirën e Kazermës së dikurshme të TMK-së në Llukar. Sipas informatave të siguruara në atë lokacion ka hapsirë të mjaftueshme për ndërtimin e një Institucioni të tillë dhe ndikon pozitivisht edhe në aspektin social dhe ekonomik në atë pjesë të qytetit”, ka shkruar Bejta në Facebook.
Por, për këtë duhet të vendos asambleja e Prishtinës.
“Komuna në bazë të studimit të fizibilitetit i zgjedh tri lokacione të mundshme për ndërtim. Këto tri propozime i sjell në asamble dhe ajo që merr vota më shumë, fiton për t’u ndërtuar”, ka treguar Bejta.
Bejta ka theksuar se propozimin e saj e kanë përkrahur edhe nga asamblistët e partive tjera.
Ndërkaq për ndërtimin e Spitalit të Prishtinës janë ndarë 7 milionë euro, por i ka mbetur në dorë Komunës së Prishtinës të vendosë për një lokacion të përshtatshëm për ndërtimin e objektit.
Ministria e Shëndetësisë në vitin 2018 i kishte thënë Expressit se fillimisht është duke u kryer studimi i fisibilitetit, për të cilin janë në dispozicion 200 mijë euro, ndërsa 4.1 milionë tjera janë ndarë për periudhën kohore 2018-2020.
“Studimi i fisibilitetit do të përcaktojë kapacitetet që duhet t’i ketë spitali, përfshirë edhe resurset e infrastrukturës (pajisjet, shtretërit…) dhe resurseve njerëzore (mjekë, motra, staf jo-mjekësor, etj.)”, kishin thënë nga MSH’ja.
E miratimi i Ligjit për Prishtinën, kishte qenë arsyeja e vonesës së ndërtimit të spitalit. Ky Ligj ishte votuar në Kuvendin e Kosovës në maj të vitit 2018.
Prishtina sipas këtij Ligji, do të ketë spital dhe njësi policore që do të jenë në shërbim vetëm të qytetarëve të Prishtinës./Express/