Aktuale
Zbulohet banda kriminale e arkeologjisë, konfiskohen 10 mijë artefakte
Është shpartalluar një bandë ndërkombëtare e krimit që plaçkiste vendet në Italinë Jugore dhe trafikonte sendet e vjedhura arkeologjike në vlerë prej miliona eurosh. Policia ka kryer më shumë se 80 kërkime në Itali, Francë, Britani, Gjermani dhe Serbi, ka arrestuar 23 veta dhe ka rikthyer rreth 10 mijë gjësende arkeologjike.
Banda kriminale vepronte në thembrën e Italisë dhe kryente gërmime të paligjshme në vendet ku arkeologët zyrtarë duhej ende të hulumtonin. Policia ka thënë se ata janë vënë në ndjekje të grupit që prej majit të vitit 2017, duke përdorur përgjime dhe incizime për të parë se si thesaret e artit pikaseshin e më pas shiteshin jashtë vendit, shkruan sot Koha Ditore.
“Më kryesorja, imazhet e kapura nga dronët tregojnë dhunën e gërmimeve klandestine të kryera nga grupi kriminal, me një ekskavator (mekanik) që përdorej për të gërryer tokën me një brutalitet të paparë”, thuhet në kumtesën e Policisë.
Mes vendeve të grabitura ishin aso që u përkisnin shekujve 4 dhe 5 para Krishtit, kohë kur brigjet e Italisë jugore gëlonin me ngulime të vjetra greke.
Hajdutët endeshin me vazo terrakote, pjata të pikturuara, karfica dhe stoli. Policia ka thënë se të mirat e vjedhura kanë vlerë të “disa milionë eurosh”.
Ndërmjetësit që shisnin artefaktet e plaçkitura punonin në Londër, Münich, qytetin francez të Diojonit dhe në Vërshac të Serbisë.
Italia ka një njësi policore që merret me grabitësit e artit dhe që drejtoi operacionin në cepin jugor të vendit.
“Kalabria është veçanërisht e pasur në trashëgiminë e vjetër dhe është objekt grabitjesh të pareshtura që ushqejnë tregun klandestin të veprave të artit”, ka thënë njësiti të hënën/ Reuters.