Aktuale
Pas vërejtjeve të Auditorit, shkolla “Ismail Qemali” përmirëson kushtet

Pak ditë pas publikimit të raportit të auditimit “Menaxhimi i mirëmbajtjes së institucioneve publike arsimore”, i cili konstatonte se disa shkolla në Kosovë nuk i plotësojnë kushtet për mësim për shkak të mirëmbajtjes jo të duhur, drejtues të shkollës “Ismail Qemali”, në Prishtinë, kanë reaguar duke thënë se i kanë përmirësuar vërejtjet e dhëna në raport.
Zyra Kombëtare e Auditimit ka audituar 18 shkolla, 6 në Prishtinë, 6 në Vushtrri dhe 6 në Ferizaj, në të cilat nuk është konstatuar mirëmbajtje e duhur. Sipas raportit, palët e përfshira në auditim janë pajtuar me gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Raporti konstatonte se në shkollën “Ismail Qemali” në Prishtinë nuk është intervenuar si duhet në ventilim, gjatë vitit 2017/2018 nuk është bërë gëlqerosja pranverore dhe dezinsektimi i objektit, nuk është realizuar siç duhet mirëmbajtja sezonale, inventari i shkollës është tejet i dëmtuar, mirëmbajtja rutinore që përfshin higjienën ditore nuk është në nivelin e pranueshëm, tualetet janë të papastra dhe objekti ka kondensim të ajrit dhe rrjedhje të nyjave sanitare.
Sipas drejtoreshës së kësaj shkolle, Kimete Konjusha-Dida, gjetjet e Auditorit nuk paraqesin gjendjen aktuale të shkollës, por atë të para disa muajve. Ajo thotë se pas publikimit të raportit, shumë prindër të nxënësve janë shqetësuar, por, siç ka thënë, tashmë gjendja e mirëmbajtjes në këtë shkollë është shumë e mirë.
