Aktuale
27 mijë qytetarë nënshkruajnë peticionin kundër hidrocentraleve

Diana Metushi Krasniqi, nga grupi i organizatave joqeveritare që nisën peticionin për ndalimin e degradimit të mëtutjeshëm të ambientit nga hidrocentralet, ka thënë se deri tani janë grumbulluar rreth 27 mijë nënshkrime.
Në Express Intervistën në KTV ajo ka treguar se peticioni ka arritur të marrë përgjigje të mirë nga qytetarët dhe se tash po presin veç konstituimin e institucioneve për ta dërguar peticionin në Kuvend.
“Jo që kemi mbërri numrin minimal për futjen në Kuvend të kësaj çështje prej dhjetë mijë nënshkrimesh, por kemi marrë një përgjigje mjaft të mirë të qytetarëve që tregon sa qytetarët janë të vetëdijshëm. Besoj që me mbështetjen e mediave dhe bashkëpunimit që kemi pasur në muajt e fundit duke filluar nga Deçani, Peja, Prizreni e komuna të tjera, kanë bërë që qytetarët të jenë më në dijeni për problemin në fjalë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, reagimi më i madh ishte te vendet ku janë prekur nga degradimi i ambientit prej hidrocentraleve.
Metushi-Krasniqi ka thënë se reagimi i qytetarëve ishte edhe më i madh për shkak se kishin hasur në vesh të shurdhër me kërkesat e tyre te institucionet.
“Është e vërtetë që kemi zotim që bie edhe brenda kornizave të BE-së që deri më 2020 të kemi 20 për qind energji të ripërtërishme. Madje qeveria jonë ka shkuar një hap tutje duke e ngritur në 25 për qind për vitin 2020. Ekzistojnë format solare, me biomasë, dhe jo vetëm me hidro. Por kjo ishte me kosto më të ulët e me përdorim më afatgjatë”, ka thënë ajo teksa ka shtuar se burimi i informimit s’ka qenë i duhuri kur është bërë strategjia. Sipas saj, kjo strategji bazohet në raportin e vitit 1983.
Ajo e ka lënë fajtore kryesore Ministrinë e Mjedisit për situatën aktuale. Sipas saj, pavarësisht ankesave ministria s’ka bërë matje apo vlerësim të ndikimeve anësore se a janë të vërteta apo jo brengat e qytetarëve.
Ka thënë se është e pakuptueshme që Ministria e Mjedisit kishte hequr pezullimin ndaj hidrocentraleve, teksa “Gjykata Kushtetuese i ka thënë kryeministrit në këtë kohë se s’mund të marrë vendime derisa është qeveri teknike”.
Sipas saj, kërkesë qenësore është që më 2020 të mos jepet asnjë pëlqim mjedisor për fillimin e punimeve për hidrocentrale të reja.
Për qeverinë e re, Metushi-Krasniqi ka thënë se presin që “të paktën të ketë ndryshim në qasje”.
