Connect with us

Aktuale

Banesa ime ka sy

Published

on

Shkruan: Bekim Kupina

*Marrë nga Koha Ditore.

Me katrahurën ndërtimore, koncepti i qytetit kosovar ka pësuar goditje serioze, saqë vetëm një fije e ndan nga një vendbanim joformal. Megjithëse me vonesë, shoqërisë kosovare i duhet mobilizim për ta ruajtur dhe zhvilluar më tej konceptin e qytetit. Të atij qyteti, të cilin banorët e tij e përjetojnë si të tyre dhe ku mijëra ngrehina betoni nuk kundrohen si agresor ndaj llojit njeri

Banesa ime ka sy e veshë, porse jo “certifikatë të lindjes”. Prej afro një dekade 71 metra katrorë të hapësirës sime të banimit janë ilegale. Kështu së paku trajtohen në aspektin ligjor. Prej atëherë e tash, unë vazhdoj të paguaj tatim për banesën time ilegale, e cila është vetëm njëra në 46 mijë ndërtimet që presin legalizimin në kryeqytetin e Kosovës.

Natyrisht në kuptimin praktik, moslegalizimi i banesës nuk paraqet ndonjë telash, sepse askush nuk të nxjerrë nga aty, përpos faktit që në evidencat komunale je një tatimpagues, porse jo pronar. E nga ana tjetër je i privuar nga mundësia e hipotekimit të saj, kur merr kredi në banka për ta blerë atë.

Sidoqoftë, aty bëhet jetë. Madje më interesante sesa ideja e moslegalizimit të saj. Teksa në shumë shtete diskutohet për legalizim të marihuanës, ne ende debatojmë për legalizimin e strehëve të banimit. Nejse, të dy këto çështje ekzistencialiste janë!

***

I kam njohur fqinjët e katit të tetë, prej faturave të rrymës, ujit apo mirëmbajtjes. Çdo muaj ato përzihen në korridorin e banesës, ndaj aksidentalisht edhe ua kam mësuar emrat secilit.

Nuk përbën problem për autoritetet e kompanive që i sjellin faturat që fqinjët ta dinë edhe shumën e borxheve që kanë për shërbimet komunale apo energjinë elektrike të harxhuar. Pavarësisht se një veprim i tillë i kompanive është joligjor, rezidentët ilegalë janë imunizuar me këtë gjë. Njësoj sikurse me zhurmat gjithandej nga objektet përreth…

Nuk jam adhurues i futbollit, por sa herë që zhvillojnë betejën me top, Shqipëria ose Kosova, rezultatin e marr vesh nga brohoritjet e fqinjëve të mi, me të cilët na ndajnë si nja 4-5 metra distancë nga ndërtesa bri meje.

Kur heshtja mbulon fqinjësinë, tullat e kuqe të objektit vishen nga një tis i hirtë. Ia futën Kosovës, mërmëris më vete…

Kushedi, ata që i kanë miratuar planet urbane ndër vite, ndoshta e kanë pasur parasysh faktin se jeta bëhet e mirë edhe me komshinj.

Ndryshe nuk ka si shpjegohet situata kur pa dashje shndërrohesh në një degustues të erërave të ushqimeve.

Mund të kenë kaluar javë të tëra e të mos kesh futur në gojë lakra me mish, ama duke qenë afër me komshiken kulinarike, të krijohet ndjesia se ha çdo ditë në të njëjtën tryezë me fqinjët.

Kjo përzierje shijesh shkon perfekt me infrastrukturën përcjellëse. Sepse sapo e braktis banesën, rruga me gropa ta jep mundësinë e njëfarë gjimnastike ritmike, po qe se ecën. Në të kundërtën, vetura do të përjetojë seri tërmetesh të vogla për të përfunduar te ndonjëri nga mekanikët e mëhallës me konstatimin epik me një vëzhgim okulistik për prishjen e “jabuçicave”. Ka zgjidhje. Vendosen të reja, porse mekaniku nuk lëshon asnjë dëshmi për to. Ilegal edhe ky! Duke iu shmangur taksës, ai arrin të mbijetojë sa për të mos i marrë udhët e botës për t`ua riparuar veturat gjermanëve.

Por nuk përfundon me kaq. Gërshetimi i ilegalëve merr kuptim kur erën e vajit motorik e sfidon ajo e mandarinave në pemëshitësen afër. E hap një, e ha një flegër, i hedh lëvoret në tokë dhe ta mbushë qesen. Nuk ka emër pemëtorja, por e vendosur në trotuar, e rrethuar me llamarina, ajo tashmë është adresë e pakontestueshme e pemëve e perimeve në çdo stinë. S`ka kuponë fiskalë as kjo. Ilegale!

Pak metra tutje, një shtyllë elektrike pothuajse sa nuk është rritur duke u ujitur vazhdimisht nga pronari i shitores afër saj.

I ngjason një instalacioni artistik, por në esencë nuk ka arritur asnjë pushtet që prej dhjetë vjetësh ta bindë KEDS-in që të njëjtën ta heqë nga rruga.

Pozicioni ilegal i saj është integruar mrekullisht brenda konceptit të të jetuarit në këtë pjesë, ndaj shtylla tashmë ka marrë konotacion të shenjës së komunikacionit. Të gjithë frenojnë, shajnë korporatën e Komunën dhe vazhdojnë siç vazhdon edhe shtylla të jetë po aty.

Të tilla shtylla me tela fare mbi kokat e nxënësve prej vitesh rrezikojnë nxënësit e shkollës “Pavarësia”. Çdo ditë zyrtarë e jozyrtarë që kalojnë andej i shohin ata si të ishin degë pemësh me fruta!

***

Toponimi Lagjja e Spitalit në kryeqytet nga një livadh është transformuar me shpejtësi në një vendbanim kaotik, ku njerëzit ka drojë të sëmuren nga objektet e panumërta. Duke qenë se toponimi ka ekzistuar përpara ndërtimeve, kjo lagje sikur të jetë me fat të parashkruar të lëngojë nga kaosi urban për t`u shndërruar në model të dhunimit të konceptit urban të të jetuarit. Lagje, ku mungesa e sensit estetik ta jep shpesh ndjesinë e të jetuarit në Kandahar.

Trotuare në shërbim të klientëve të një varg marketesh të mëdha, e rrugë në funksion të veturave. Për këmbësorë, as që bëhet llaf…Diçka për çiklistë e nëna me karrocë, ma çfarë ti!

Sallone frizurash, saqë të mbushet mendja se je në ndonjë javë mode. Erë llaku nga salloni “Arabica” dhe foto çasti për t`i përjetësuar kujtimet nga Lagja e Spitalit, ku njerëzit sëmuren, rregullojnë frizurat, blejnë, shesin, presin dhe këqyrin seri!

***

Sakaq në këtë gërshetim pamjesh, domosdoshmërisht shikimi tretet në ndonjërën nga shumëkatëshet ilegale dhe ku fillon jeta e banorëve të njërit ndër shtetet më të reja në planet dhe të cilët që në nisje vetvetiu akomodohen brenda konceptit “ilegal”.

Duke u mishëruar me këtë koncept linja dalluese ndërmjet legales dhe ilegales është tëhuajësuar fare. Aq është relativizuar, saqë nuk mbahet mend që të jetë ngritur së paku një zë që të ketë kërkuar legalizimin e objekteve pa leje. Sot kur jemi të rrethuar ngado me to, termi “ilegal” është bërë një me kontekstin kulturor tonin. Teksa ende nuk ka marrë fund lufta politike kundrejt strukturave ilegale në veri të vendit, shoqëria kosovare po përballet edhe me ilegalitetin e brendshëm, në orbitën e të cilit lëviz vetëdijshëm. Gjithnjë duke ndërtuar një kompromis me të cilin u synua dhe u arrit suprimimi i ligjshmërisë, duke e vendosur shtetin para aktit të kryer.

Ndaj, sot, ky shtet përballet me afro 400 mijë ndërtime pa leje, para dhe pas luftës që u bënë para syve tanë.

Me katrahurën ndërtimore, koncepti i qytetit kosovar ka pësuar goditje serioze, saqë vetëm një fije e ndan nga një vendbanim joformal.

Prandaj, megjithëse me vonesë, shoqërisë kosovare i duhet mobilizim për ta ruajtur dhe zhvilluar më tej konceptin e qytetit.

Të atij qyteti, të cilin banorët e tij e përjetojnë si të tyre dhe ku mijëra ngrehina betoni nuk kundrohen si agresor ndaj llojit njeri.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending