Aktuale
Bordi fillon punën për “Manifesta 14” në Prishtinë
Është mbajtur takimi i parë i Bordit të “Manifesta 14” në Prishtinë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.
Në takim, siç njofton kumtesa nga Komuna e Prishtinës, ishin Blerta Basholli, regjisore dhe Drejtore e Kulturës, Komuna e Prishtinës, Andrea Cusumano anëtar i Bordi M14 dhe ish Këshilltar i Kulturës, Komuna e Palermos, Besa Luci anëtare e Bordit M14 dhe kryeredaktore dhe bashkëthemeluese e Kosovo 2.0, Niels de Ru anëtar i Bordit M14 dhe Partner në Allen & Overy LLP, Arta Agani anëtare e Bordit M14 dhe Drejtore e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Paul Domela shefi i biznesit të Manifestës, Përparim Rama anëtar i Bordit M14 dhe Udhëheqës dhe Themeluesi i Grupit 4M, Hedwig Fijen anëtare e Bordit M14 dhe Drejtore e Manifestës, Max Bouwhuis hulumtues- dhe Koordinator i Projektit.
“Pas përzgjedhjes për të qenë nikoqire e Manifesta 14, Prishtina mirëpriti takimin e parë të Bordit, i cili u mbajt në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më 2 nëntor 2019”, thuhet në njoftim.
Anëtarët e Bordit të Manifesta 14 Prishtina, që përfaqësojnë artistë, juridistë, profile nga administrata publike dhe e biznesit, synojnë të mbështesin qytetarët e Prishtinës në përpjekjen dhe synimin e tyre për të rikthyer hapësirën publike dhe të rimendojnë konceptin e infrastrukturës kulturore, trashëgimisë dhe kontekstin arkitekturor të Prishtinës.
Bordi i Manifesta 14 përbëhet nga:
Hedwig Fijen, Drejtore e Manifestës
Arta Agani, Drejtore e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Prishtinë
Besa Luci, kryeredaktore dhe bashkëthemeluese e Kosovo 2.0
Andrea Cusumano, ish Këshilltar i Kulturës, Komuna e Palermos
Perparim Rama, Udhëheqës dhe Themeluesi i Grupit 4M
Niels de Ru, Partner në Allen & Overy LLP
Manifesta, Bienalja Evropiane Nomadike, shpalli Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës, si qyteti i parë nikoqir në Ballkan për edicionin e 14-të të Manifestës në 2022.
“Që nga themelimi i saj në fillim të viteve 1990, misioni i Manifestës është të ekzaminojë ndryshimet topografike kulturore të Evropës. Çdo dy vjet, Manifesta shikon botën përmes prizmit të situatës specifike të qytetit të ri pritës. Bordi Mbikëqyrës i Manifestës zgjodhi qytetin e Prishtinës në Kosovë për shkak të rëndësisë gjeografike dhe gjeo-politike të Ballkanit në lidhje me historinë e fundit të Evropës dhe të ardhmen e saj. Në historinë e tij relativisht të shkurtër si kryeqyteti i shtetit më të ri të Evropës, qyteti i Prishtinës ka përjetuar ndryshime të mëdha nga politikat neoliberale të privatizimit të hapësirave të hapura urbane. Manifesta synon të mbështesë qytetarët e Kosovës në ambicien e tyre për të shkruar të ardhmen e qytetit të tyre si një metropol mendje hapur në zemër të Ballkanit”, përfundon njoftimi.
Manifesta konsiderohet si një ndër bienalet më të rëndësishme të artit, përfshirë arkitekturën, në Evropë. Kjo bienale “udhëton” çdo dy vite nëpër qytete evropiane. Manifesta së fundmi është mbajtur në Palermo, në vitin 2020 do të mbahet në Marsej të Francës, e në Prishtinë në vitin 2022.