Aktuale
Opozita e Podujevës alarmon për suficit të mjeteve për kapitale
Komunarët e Podujevës nuk kanë arritir ta shpenzojnë as gjysmën e buxhetit të dedikuar për projekte kapitale për sivjet. Për nëntë muaj ata i kanë shpenzuar vetëm 2 milionë e 961 mijë e 563 euro nga 6 milionë e 701 mijë e 304 euro sa janë të planifikuara për sivjet.
Më shumë se 55 për qind e këtyre mjeteve kanë mbetur të shpenzohen për 3 muaj, përkatësisht 2 kur mund të bëhen pagesa. Opozitarët kanë ngreh alarmin se sikur vitin e kaluar edhe sivjet do të ketë suficit të madh në këtë kategori buxhetore dhe rrjedhimisht edhe humbje të mjeteve nga Komuna. Këshilltarja nga radhët e VV-së, Lirika Maliqi, duke iu referuar raportit financiar janar-shtator ka thënë se është ndër më të dobëtit, shkruan sot Koha Ditore.
“Që nga fillimi i këtij mandati në vitin 2017 ne si LVV kemi paraqitur vërejtjet tona sa i takon qartësisë se raportit financiar dhe transparencës së tij. Një vërejtje e tillë tashmë është edhe e gjetur e Auditorit. Vërejtjet tona të vazhdueshme fatkeqësisht nuk kanë rezultuar në përmirësimin e tyre, madje ky është një prej raporteve më të dobëta të paraqitura para Asamblesë Komunale”, është shprehur Lirika Maliqi.
“Mirëpo, pavarësisht kësaj, në këtë dokument nuk mund të fshehet qeverisja e dobët e cila nuk ka vizion zhvillimor. Ky raport për dallim nga raportet e kaluara nuk ka një analizë krahasuese në formë tabele mes pozicioneve buxhetore nga ato të planifikuara dhe të realizuara, gjë që e bën raportin jotransparent dhe të paqartë posaçërisht për qytetarët që nuk i përkasin fushës së ekonomisë”.