Aktuale
Investohet vetëm në kulm, mbesin shumë probleme tjera në Bibliotekën Kombëtare
Është një nga objektet ikonike të Kosovës. Mirëpo, kujdesi për të po del të jetë i paktë. Nevoja për ndërhyrje në disa pjesë të Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” është e vazhdueshme tash e disa vite.
Nga disa dëmtime që ka pësuar ky objekt ndër vite, tash është duke u ndërhyrje në njërin prej tyre. Që nga fundi i shtatorit është duke u bërë hidroizolimi i kulmit të rrafshët dhe atikës. Ky projekt Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka kushtuar mbi 200 mijë euro.
Në korrik ishte nënshkruar kontrata në vlerë rreth 190 mijë euro, ndërsa një kontratë tjetër për punë shtesë, në vlerë rreth 19 mijë euro, u bë në fund të muajit tetor.
Paratë shtesë u dhanë në lidhje me një shtresë për mbrojtjen e bibliotekës nga reshjet dhe për shtresën e fundit hidroizoluese të kulmit.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Fazli Gajraku tregoi për Ndërtimi.info pse ka qenë urgjente kjo ndërhyrje.
“Rreziqet më të mëdha për dëmtimin e koleksioneve vinin nga kulmi i rrafshët. Në podrumet e bibliotekës, ku janë koleksionet, ka hy uji, mirëpo uji që vinte nga pjesa e nëntokës arrinim ta menaxhonim më lehtë, por kur vinte nga kulmi i rrafshët nuk arrinim ta detektonim nga cila pjesë e kulmit po vinte. Tani kjo firmë po punon dhe presim që na afatin sa më të shpjete të përfundojë puna”, tha ai.
Mirëpo, sipas tij kjo ndërhyrje është dashtë të bëhej kohë më parë.
Kulmi nuk është problem i vetëm infrastrukturor i këtij objekti. Këtu ka nevojë edhe për diçka tjetër.
“Ndërrimi i sistemit të kanalizimit dhe ujësjellësit, sepse shpesh kemi pas dëmtime të gypave të kësaj strukture; drenazhimi i podrumit, atje ku duhet të evitohen ujërat që vërshojnë në mot të keq dhe sistemi i mbrojtjes kundër zjarrit, që të mos të na ndodhë asnjë gjë që rrezikon koleksionet”, u shpreh ai.
Vërshimi i depove ku ruhen koleksionet e bibliotekës është problem I përvitshëm. Për mbrojtjen e librave janë ndërmarrë disa masa të vogla preventive. Vërshimet mund të ketë edhe këtë vit, pasi institucionet nuk kanë bërë asgjë për këtë pjesë të bibliotekës.
Gajraku bëri të ditur se tashmë ekzistojnë dy projekte për zgjidhjen e këtij problem, por që nuk ka mjete.
Ndërtimi.info nuk ka rritur të marrë përgjigje nga Ministria e Kulturës, rinisë dhe Sportit për ndërhyrjet në bibliotekë, pavarësisht pritjes disa ditore./Ndërtimi.info/