Aktuale
Numër i madh nxënësish në Fushë-Kosovë, komuna s’ka truall për ndërtimin e shkollës së paraparë
Fushë- Kosova vazhdon të jetë një nga qytetet me dyndjen më të madhe të popullsisë. Afërsia me Prishtinën dhe orientimi i bizneseve ka bërë që në këtë qytet të zbresin qytetarë nga të gjitha pjesët e vendit.
Një nga problemet më të mëdha në këtë qytet, mbetet edhe numri i madh i nxënësve, karshi numrit të objekteve shkollore, çka se në disa shkolla fillore mësimi mbahet me tri ndërrrime, krejt kjo në pamundësi për një zgjidhje tjetër.
Sipas drejtorit komunal të Arsimit, Islam Shabani, janë tri shkolla fillore dhe tri të mesme. Teksa numri i nxënësve të shkollave fillore është mbi 5000.
“Në qytetin e Fushë – Kosovës kemi 3 (tre ) shkolla fillore dhe 3 ( tre ) shkolla të mesme ; gjimnaz , drejtime ekonomike –juridike dhe drejtimi teknik .
Nr i nxënësve në të tri shkollat fillore është …………… 5,183 nxënës
Nr i nxënësve në të tri shkollat e mesme është…….. 1,538 nxënës”.
Ndonëse një nga premtimet e kryetarit të kësaj komune, Besnik Berisha, ishte edhe ndërtimi i një shkolle të re në qendër të Fushë-Kosovës, ky projekt ende ka mbetur vetëm në letër. Por, që sipas Shabanit shumë shpejt, do të dalin me propozim konkret në Kuvend, pasi që momentalisht nuk kanë truall.
“Ndërtimi i një shkolle është në procedurë të zakonshme. Jemi duke hulumtuar gjetjen e një lokacioni të përshtatshëm për ndërtimin e nje shkolle , sepse , si komunë nuk kemi truall për ndërtimin e një shkolle !
Sipas planifikimeve tona , ajo do të jetë diku në afërsi të fshatit Uglar ( ana e djathtë e rrugës Fushë Kosovë – Prishtinë ). Së shpejti do të dalim me propozim konkret në Kuvendin e Fushë Kosovës”.
Ndryshe, kjo shkollë parashihet t’i ketë afro 2. 000 nxënës./Indeksonline/