Aktuale
Policia merr nën kontroll laurat në Pejë e Deçan
Në laurën në hyrje të Grykës së Rugovës dhe dy laurat në Bjeshkët e Deçanit nuk do të jenë më rojat e kompanisë së sigurimit fizik “COMMANDO”, e kontraktuar nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, por Policia e Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur të premten drejtori i parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Fatmir Morina, në një tryezë të organizuar nga Prokuroria Themelore e Pejës, në mbështetje të OSBE-së, për degradimin e pyjeve dhe ambientit, në të cilën ishin të pranishëm edhe drejtuesit e komunave të këtij rajoni dhe autoritetet e policisë dhe të pyjeve të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.
“Prej sot, më 1 nëntor, kemi shkëputur kontratën me kompaninë ‘Commando’, për arsye se ka pasur ankesa të mëdha se nuk është duke e kryer punë suksesshëm. Disa rojtarë të kësaj kompanie janë shoqëruar në polici dhe ndaj tyre janë ngritur procedura penale. Kurse prej sot do të jetë policia në tri laurat. Me policinë kemi lidhur një kontratë për punë sekondare dhe për një vit policia do të qëndrojë në laurat në Pejë, në Deçan dhe Lloqan. Ndërsa në Junik, për shkak të gjendjes më të mirë, sa u përket prerjeve të pyjeve, 24 orë në atë laurë do të qëndrojnë punëtorët e drejtorisë së parkut”, tha Morina, në këtë tryezë, e cila është e dyta që mbahet sivjet, pas asaj në muajin prill, nga kur edhe kanë nisur të merren seriozit të gjitha institucionet relevante për të mbrojtur pyjet nga degradimi prej prerjeve ilegale.