Aktuale
12 orë punë në ditë e probleme me paga për punëtorët e ndërtimtarisë në Kosovë
Punëtorët në sektorin privat në Kosovë, konkretisht ata në ndërtimtari përveç që punojnë pa kontrata dhe në kushte të papërshtatshme, punojnë edhe me orar tejet të zgjatur, deri në 12 orë brenda ditës.
Kështu ka thënë kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat në Kosovë, Jusuf Azemi, në një intervistë për Ndërtimi.info.
Përveç orarit të zgjatur, Azemi ka numëruar edhe disa shkelje tjera të Ligjit të Punës që bëhen karshi punëtorëve të ndërtimtarisë, derisa këtë e ka quajtur egërsi të punëdhënësve.
“Minimumi punëtorët e sektorit të ndërtimit i kanë punë 10, 11 e shpesh 12 orë punë. Shpesh kemi vonesë edhe të pagës, sepse punëtorët absolutisht nuk e çajnë kokën për, pronarët, se ka kaluar afati kohor prej 8 orë, se punëtori duhet të shkojë të pushojë, se punëtori duhet të ketë pushimin minimal brenda muajit – pushimin mujor dhe pushimin vjetor. Sigurisht që e them me plotë përgjegjësi, se është një egërsi e llojit të vetë se me disa raste kompanitë veprojnë me punëtorë ashtu siç ua do dëshira e vetë”, ka thënë ai.
Ai, ka potencuar se sipas ligjit, punëdhënësit janë të obliguar që ta ruajnë shëndetin e punëtorëve, duke shtuar se edhe pavarësisht sanksioneve të parapara me ligj punëdhënësit nuk kanë kujdes aspak për shëndetin e tyre.
Azemi, ka kujtuar se gjatë kësaj vere punëtorët e ndërtimtarisë kanë punuar në temperatura deri në 40 gradë celsius, edhe pse sipas tij puna duhet të ndërpritet nëse temperaturat kalojnë 35 gradë celsius.