Aktuale
Në Kosovë ende ka sfida për ndërtimin e qëndrueshëm
Ndërtimi i qëndrueshëm në Kosovë nuk është në nivelin e duhur, ndërsa për realizimin e këtyre ndërtimeve po ka ende sfida.
Se kjo po ndodh u theksua në forumin “Ndërtimi dhe Urbanizmi i Qëndrueshëm”, që u mbajt në kuadër të Festivalit të Gjelbër, raporton Ndërtimi.info.
Nga paneli diskutues u theksua se në vendin tonë ekzistojnë objekte të ndërtuara në emër të ekologjisë, por në realitet nuk janë të tilla.
Në mënyrë që zhvillohet urbanizmi dhe ndërtimi i qëndrueshëm Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka përgjegjësitë e veta. Servet Spahiu nga kjo ministri tregoi se ka sfida derisa theksoi çfarë është bërë për këtë çështje.
“Ministria e ka të kompletuar dokumentacioni, një pjesë të madhe 99 %. Si në çdo fushë edhe tek ne ka problem me zbatimin, ato që janë në letër është problem me i zbatua. Kemi ec mjaftë mirë në aspektin legjislativ dhe teknik, pjesën e komponentëve teknik e kemi finalizua”, tha ai.
Ndërsa, përfaqësuesja e komunës së Prishtinës, Krenare Shkodra potencoi se komuna nuk e obligon arkitekturën e qëndrueshme.
“Sa i përket planeve rregulluese dhe urbanistike, secila prej planeve e trajton në një mënyrë aspektin e qëndrueshmërisë. Mirëpo, më shumë e inkurajojnë arkitekturën e qëndrueshme sesa e obligon”, u shpreh ajo.
Mirëpo, sipas saj Komuna është në diskutim për një rregullore për fasada të gjelbëra, që duhet ta respektojnë kompanitë e ndërtimit në objektet e tyre.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i sektorit të ndërtimit, drejtori ekzekutiv i “KAWA Group”, Valon Vataj, tregoi sfidat e kompanive ndërtimore në projekte efiçiente.
“Realisht ka sfida të vazhdueshme. Njëra prej sfidave është jo-bashkëpunimi institucional me sektorin privat, qoftë ministrisë apo komunës, për forume dhe bashkëpunime të vazhdueshme me kompanitë ndërtimore. Duke pasur parasysh që një diskutim i mirëfilltë, që në këtë rast ne kemi pas me institucionin e urbanizmit, ka rezultuar me një projekt që ne e kemi e që është i pari me rritjen e efiçiencës. Bashkëpunimi i mirë mes kompanisë dhe institucionit kishte me rezultu me shumë projekte tjera me rritje te efiçiencës. Ka shumë kompani ndërtimore dhe arkitektë që nuk janë të informuar mirë rreth aplikimit të rritjes së efiçiencës”, tha Vataj.
Në këtë diskutim u theksua se po ndërtohen lagje të izoluara dhe pretendohet se janë lagje ekologjike.
Arkitekti, Arbër Sadiki përmendi se çfarë duhet të bëjnë institucionet për ndërtimin e qëndrueshëm.
“Mendoj që nëse projekti ka element të arkitekturës së qëndrueshme duhet të lirohet prej taksave. Komuna të heq dorë prej disa mjeteve financiare apo ndonjë institucion qendror, por jo barrën e arkitekturës së qëndrueshme me e ndiku tek rënia e kualitetit ekologjik,ambiental tek qytetarët që e shfrytëzojnë atë ndërtesë. Ne kemi problem të bëjmë Prishtinë të qëndrueshme pa u marrë vesh me Obiliqin. Çka po bëjmë ne tash e tutje. Një ndotës enormë nuk mund ta ndalësh me një tarracë të gjelbër apo me një fasadë të gjelbër”, deklaroi ai.
Gjithashtu, u theksua se komuna e Prishtinës është duke bërë planin e veprimit për qytetin e gjelbër, ku trajtohen edhe lagjet jashtë qendër, por që shërbimet institucionale i marrin në qendër të qytetit.