Aktuale
INPO: Prishtinasit më së shumti të pakënaqur nga mungesa e parkingjeve publike dhe trotuareve
Organizata jo-qeveritare INPO sot përmes një konference ka publikuar edicionin e tretë të Indeksit të kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë.
Indeksi është i dizajnuar të bëjë vlerësimin e kënaqshmërisë me shërbimet komunale të cilat ofrohen nga komuna bazuar në kompetenca vetanake. Indeksi ka bërë matjen e 15 llojeve të ndryshme të shërbimeve komunale, si dhe matjen e kënaqshmërisë së qytetarëve me pushtetin lokal duke i pyetur qytetarët për nivelin e kënaqshmërisë së tyre me punën e Kryetarit, Kuvendit Komunal dhe Drejtorive Komunale.
“Të dhënat e dala nga anketa përfaqësojnë mendimet e qytetarëve të moshës 18 vjeç e më shumë, gra dhe burra, të cilët janë intervistuar përgjatë muajve qershor – gusht 2019, në zonat urbane dhe rurale të komunës së Prishtinës”, thuhet në njoftim.
Të dhënat tregojnë se pakënaqësive të qytetarëve të Prishtinës iu prin mungesa e ekzistencë së parkingjeve publike dhe trotuareve me mbi 65% të qytetarëve të pakënaqur me këto dy kategori të shërbimeve publike.
Tutje, me gjendjen e rrugëve dhe mirëmbajtjen e tyre janë të pakënaqur 48.65% dhe 47.42% e qytetarëve respektivisht, me numrin e parqeve dhe shesheve deklarohen të pakënaqur 38.08% e qytetarëve, me hapësirat gjelbëruese 45.09% dhe me planifikimin urban dhe rural 39.92% e qytetarëve deklarohen të pakënaqur.
Të dhënat e Indeksit të kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet komunale në Prishtinë tregojnë se shërbimet administrative, ndriçimi publik, shërbimet e transportit publik dhe oraret e qarkullimit të transportit publik, përfshirja në sistemin e ujësjellësit dhe furnizimi me ujë, grumbullimi i mbeturinave dhe trajtimi i ujërave të zeza/kanalizimit janë ndër shërbimet komunale me të cilat qytetarët janë më së shumti të kënaqur.
“Të dhënat tregojnë se qytetarët kanë vlerësime të ndryshme sa i përket performancës së organeve komunale. Të kënaqur apo shumë të kënaqur me punën e kryetarit të komunës deklarohen të jenë 18.06% e qytetarëve kundrejt 45.46% e tyre që janë të pakënaqur apo shumë të pakënaqur . 26.41% e qytetarëve kanë vlerësim neutral për punën e kryetarit të komunës”, thuhet aty.
Në krahasim me Indeksin e vitit të kaluar, ka rritje të pakënaqshmërisë prej 20.77% të qytetarëve me punën e kryetarit të komunës.
“Të pakënaqur ose shumë të pakënaqur me punën e Kuvendit Komunal deklarohen 41.65% e qytetarëve kundrejt 10.08% të cilët deklarohen të kënaqur apo shumë të kënaqur dhe 26.66% e qytetarëve të anketuar deklarohen as të kënaqur e as të pakënaqur me punën e Kuvendit Komunal. Vetëm 9.34% e qytetarëve deklarohen të kënaqur apo shumë të kënaqur me punën e drejtorive komunale, 34.13% të pakënaqur ose shumë të pakënaqur dhe 28.99% kanë vlerësim neutral. Krahasuar me Indeksin e vitit 2018, kemi ulje të kënaqshmërisë prej 11.30% me punën e drejtorive komunale”, thuhet tutje.
Mesatarja aritmetike e kënaqshmërisë me të gjitha shërbimet komunale është 41.99% ndërsa e pakënaqshmërisë 29.56%. Mesatarja aritmetike e qytetarëve me qëndrim neutral, as të kënaqur e as të pakënaqur me shërbimet komunale është 21.08%.