Featured
Mjeshtri që ua zgjat jetën monumenteve
Caner Tatar çdo ditë udhëton me autobus nga Prizreni në Prishtinë. Pas kryeqytetit, synim i radhës është ndonjëri prej lokaliteteve arkeologjike.
Zakonisht Ulpiana ose Novobërda. Qëllimi i tij është t’ua zgjatë jetën gurëve që ndërtojnë strukturat e vjetra të cilësdo kohë ndërtimi, shkruan sot “Koha Ditore”. Herë merr pamjen e një doktori që paraqitet me shiringa në dorë e herë të një muratori.
“Kur e prek gurin, jetoj me të”, thotë Tatar para një kabine të ndërtuar në “Ulpianë”, e cila shumë shpejt do të jetë atelieja e tij e punës. Gjetjet e luajtshme do të zënë vend aty për t’u pastruar e konservuar nga mjeshtri.
Studimi i së vjetrës si parakusht
Tatar (29), i cili jeton në Prizren, ka kryer studimet për konservim dhe restaurim të monumenteve arkitektonike në universitetin “Mimar Sinan” në Stamboll.
Një pjesë e madhe e lokalitetit arkeologjik të Ulpianës, që është shpallur park arkeologjik tetorin e vitit të kaluar, është konservuar dhe restauruar prej tij. Gjithçka fillon me studimin e materialit që përbën një strukturë..