Aktuale
Privatizimi i egër po konsiderohet se ka ngulfatur hapësirat publike
Privatizimi i egër në Kosovë dhe Shqipëri po konsiderohet se kanë ngulfatur hapësirat publike. Kështu u theksua dje në diskutimin “Si t’i mbajmë publike hapësirat publike”, që u mbajt dje në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë.
Për të diskutuar për këtë temë e pranishëm ishte Liri Kuçi nga Organizata Politike e Tiranës.
“Pas shumë shtjellimeve mbi publiken, hapësirat publike dhe kulturën në përgjithësi, u theksua se privatizimi i egër në të dyja anët e kufirit e ka ngulfatur idenë e publikes. Po ashtu, ndërhyrjet me beton në hapësira publike që e shkatërrojnë gjelbërimin dhe kujtesën historike u vlerësuan si cenuese të jetesës publike, por edhe si fundamentalisht tjetërsuese. Komunat dhe qeveritë duhet të jenë më të hapura ndaj publikut kur ndërmarrin investime publike”, thuhet në njoftimin e Anibar.
Sipas këtij njoftimi, me fjalët e tregimtarit italian, Italo Calvino, u konstatua se qyteti për se nuk e përmban historinë e vet, por e rrëfen atë.
“Mbrojtësit më të mirë të publikes, hapësirave publike, janë vet publiku, respektivisht qytetarët dhe komuniteti, ndërsa kalitja e tehut kritik për ndryshime shoqërore mbetet tek qendrat dhe hapësirat shoqërore”, thuhet në njoftim.
Kjo seri e diskutimeve është mundësuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian, në kuadër të projektit “Hapësirat Kulturore të Kosovës” të implementuar nga Anibar, Lumbardhi, 7Arte dhe Pogon. Përmbajtja e këtyre diskutimeve është në përgjegjësi të Anibar dhe jodomosdoshmërisht reflekton pikëpamjet e Bashkimit Europian.