Aktuale
INPO: Komuna e Ferizajt të krijojë kushte për bizneset, jo t’i heqë taksat
Komuna e Ferizajt po synon t’i heqë taksat komunale për ushtrimin e veprimtarive afariste për të gjitha bizneset e kësaj komune.
Sipas OJQ-së INPO, Komuna në bazë të Ligjit është përgjegjëse për të krijuar një klimë dhe ambient sa më të favorshëm të të bërit biznes me qëllim të zhvillimit ekonomik lokal, shkruan sot “Koha Ditore”.
Andaj, për të pasur një zhvillim ekonomik lokal, është e nevojshme të ketë një politikë gjithëpërfshirëse dhe të ndërtuar mirë, ku në të do të ngërtheheshin programe të ndryshme dhe të qarta, të cilat janë të ndara sipas fushave përkatëse.
Albulena Nrecaj, drejtoreshë në INPO, ka thënë se në këtë drejtim hartimi i politikave lehtësuese për zhvillim të aktivitetit afarist në Komunën e Ferizajt, do të duhej të bazohej në matje dhe vlerësime të sakta rreth efekteve që këto masa do të kenë në përparimin e bizneseve ekzistuese, tërheqjen e investimeve të reja dhe ndikimin që do të kenë në zhvillim ekonomik dhe ulje të papunësisë.
“Ligji për financat e pushtetit lokal i jep diskrecion të plotë Komunës që të hartojë politika për çështjen e vendosjes së Taksës për Leje për Ushtrimin e Veprimtarisë Afariste në territorin e Komunës dhe kjo çështje është e rregulluar me rregulloren komunale për të hyrat vetjake. Kuvendi Komunal mund ta ndryshojë këtë rregullore dhe t’i inkorporojë lehtësirat apo heqjen e taksave, mirëpo kjo do të duhej të bëhej pas një studimi të mirëfilltë që do të garantonte efekt të dyfishtë, edhe për bizneset por edhe për përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”, ka thënë Nrecaj.
Sipas saj, heqja e taksës për ushtrim të veprimtarisë së bankave komerciale nuk do të ndikojë në hapjen e vendeve të reja të punës, kur tashmë është trend global dhe po ndodh edhe në Kosovë digjitalizimi i shërbimeve bankare.