Aktuale
S’i dihet fija murit mbrojtës në Veternik, s’ka datë kur përfundon
Po bëhen dy vjet prej kur në hyrje të Veternikut në Prishtinë rrëshqiti muri mbrojtës, në pjesën ku po zhvilloheshin punimet për zgjerimin e kësaj rruge. Si duket problem me këtë rrugë do të ketë edhe këtë dimër. Muri mbrojtës ende nuk është ndërtuar, e kur do të përfundojë nuk dihet, raporton Ndërtimi.info.
Shkruan: Kushtrim Hajzeri
Punëkryesi tash e disa ditë ka ndërprerë punimet, ndërsa çështja e rrëshqitjes së dheut është dërguar edhe në gjykatë. .
Ismet Konushevci nga “Beni Com”, përmes telefonit ka thënë për Ndërtimi.info, se murin duhet ta ndërtojë kompania “Lesna”, e cila po konsiderohet fajtore për shembjen e këtij muri.
“Kompania atë obligimin që e ka pas e ka kry. Janë proceset e Inspekcionit, që i ka bë padinë në gjykatë ‘Lesnas’ dhe janë mundu të merren vesh që atë muri me punu ‘Lesna’, që e ka shkaktu dëmin dhe disa takime janë anulu, duke thënë ata se sot janë e rrugë, e kështu. Unë nuk e kam obligim ta ndërtojë atë që e ka shkaktu dëmin kompania e cila është duke bërë ndërtimin e lartë. Bile edhe dheun e ndërtesës ma ka qit në rrugë, ia ktheva mbrapa dhe e kam mush zallë atë pjesë e kam bërë gati. Është që tri – katër ditë që nuk jemi duke punuar dhe ministria po e neglizhon pak”, ka thënë ai .
Ai, tutje ka thënë se kanë kërkuar ministria që të bëjë zgjidhje për këtë çështje.
Punimet për ndërtimin e murit, që kishte rrëshqitur fund të 2017-s, kishin filluar në maj të vitit 2018. Ministri në detyrë i Infrastrukturës Pal Lekaj kishte thënë se punimet përfundojnë për 55 ditë pune, por kjo nuk kishte ndodhur. Punimet nuk përfunduan as në shtator të vitit 2019, i cili ishte afati i ri që dha Lekaj.
Mirëpo, në Ministrinë e Infrastrukturës kanë thënë se aty po punohet, derisa kanë treguar pse punimet nuk përfunduan në shtator.
“Në atë pjesë është duke u punuar. Ka disa ditë që janë duke u marrë ndoshta me procedura të tjera dhe që nuk janë parë punëtorët në teren, por megjithatë është duke u punuar. Nuk është duke u punuar ashtu siç është planifikuar, me dinamikën e paraparë. Ministri Lekaj pati thënë se do të përfundojë në shtator. Kjo për shkak të ndërlikimeve në atë pjesë. Siç e dini ajo pjesë ka qenë delikate prej kur ka filluar të punohet”, ka thënë zyrtarja për informim në MIT, Fillojetë Konjuhi, për Ndërtimi.info.
Ministria e Infrastrukturës është duke i ndjekur procedurat ligjore ndaj kompanisë ndërtimore, për dëmtim të murit. Për këtë thonë se duhet të parashihen edhe këto procedura.
“ Qeverisja Lekaj veç e ka trashëguar këtë problem. Ajo pjesë është dëmtuar nga kompani private ndërtimore dhe për këtë janë procedurat ligjore që shkojnë paralel me punimet të cilat zhvillohen. Punimet aty kanë filluar me vullnetin e madh të ministrit Lekaj, që përfundimisht të kryhet kjo pjesë, por duhet të parashihet pjesa ligjore që është mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë private, për dëmin e shkaktuar në pronën publike”, ka shtuar ajo.
Pavarësisht se muri u dëmtuar para dy vjetësh, në Ministri ende nuk kanë datë se kur do të përfundojë ndërtimi i tij.
“ Punimet janë duke u zhvilluar dhe nuk kemi ndonjë datë kur do të përfundojnë punimet, por parashihet që ato të përfundojnë sa më shpejtë, në mënyrën më të mirë të mundshme, me qëllim që mos të përsëritet gabimi i njëjtë që ka qenë nga projektuesit e mëhershëm të këtij projekti”, ka theksuar Konjuhi.
Rrëshqitja e dheut dhe murit anësor në rrugën në Veternik ndodhi në fillim të dhjetorit të vitit 2017, pas reshjeve të shiut./Ndërtimi.info/