Aktuale
Veliaj: Stadiumi i ri, do rikthejë Kombëtaren në shtëpinë e saj
Në nëntor Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të rikthehet në shtëpinë e saj në Tiranë, për të luajtur ndeshjet ndërkombëtare. Pas sheshit “Skënderbej”, Bulevardit të Ri e Pazarit të Ri, një tjetër xhevahir i është shtuar kryeqytetit, stadiumi “Arena Kombëtare”, i cili do të shërbejë jo vetëm për ndeshjet e Kombëtares, por edhe si një qendër e re graviteti social për Tiranën me shumë shërbime dhe argëtim gjatë gjithë javës për qytetarët.
Punimet e fundit që gjithçka të jetë gati u inspektuan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe arkitekti i njohur italian, Marco Casamonti, i cili ka realizuar projektin e stadiumit.
Kryebashkiaku Veliaj tha se ky stadium është një bizhu për Tiranën dhe Shqipërinë. “Kombëtarja ka shëtitur në disa qytete, ka qenë diçka shumë e mirë sepse ka inkurajuar shpirtin e futbollit edhe në qytetet e tjera, ama shtëpia e vërtetë është Tirana. Por, stadiumi i ri është një bizhu; arkitektët, kolegët e federatës, kolegët ndërtues dhe konstruktorë, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme”, tha ai.
Veliaj theksoi se ndërtimi i këtij stadiumi modern është prova më e mirë se pavarësisht zërave kritikë dhe skeptikë, me punë dhe vullnet mund të bëhen gjëra të mrekullueshme në Tiranë. “Për të gjithë ata që thonë: Jo more, ne shqiptarët nuk bëhemi, nuk jemi të aftë të realizojmë – ja, kjo është prova! Kur ne bëhemi bashkë mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme.
Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë kontribuar që kjo bizhu t’i vijë Tiranës, por edhe për ata që kanë qenë cinikë edhe skeptikë në fillim. Çfarë ishte për të ruajtur fasada e vjetër e stadiumit, është ruajtur. Por, ama, çfarë ishte kalbur dhe duhej bërë nga e para, është bërë nga e para. Për këdo që më përpara kritikonte Edi Ramën, duke qenë cinik, dyshues, skeptik dhe thoshte se gjëra të tilla nuk bëhen në Tiranë, kjo është prova kokëfortë se në Tiranë mund të bëhen gjëra të mrekullueshme”, tha ai.
Kryebashkiaku garantoi qytetarët se sikurse u punua me standarde të larta për stadiumin e kombëtares, edhe Teatri i ri Kombëtar apo Kopshtiu Botanik do të jenë bizhutë e reja të kryeqytetit. “Për ata që gjithashtu kanë dyshime për Teatrin Kombëtar apo për Kopshtin Botanik, ato do të jenë bizhutë e tjera të Tiranës. Kjo është një pikë graviteti jo vetëm për të luajtur futboll, por edhe për kulinarinë, turizmin, për hotelin fantastik, elegant.
Unë e di se çdo projekt ka kritikat e veta, ka debat, por ama tërmeti na tregoi se nuk e kishin problemin kullat. Kullat, në fakt, me këto strukturat moderne, rezistuan pa një ciflosje. Janë ndërtimet e vjetra ato që nuk durojnë, ato prej qerpiçi, në pjesën më të madhe të bëra pa leje, ato ka nevojë të ndryshojë Shqipëria.
Pavarësisht se ishim që nga dita e parë kritikë, ose përqafues të këtij projekti, të gjithë në unison mund të themi një bravo. Na duhet të kapim ritmin e Tiranës për shumë projekte të tjera që na presin, duke filluar nga Teatri Kombëtar, nga Kopshti Botanik e shumë ndryshime”, deklaroi Veliaj.
Projekti i radhës, i cili pritet të nisë shumë shpejt, është ai i transformimit të Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit. “Projekti ynë i radhës do të jetë Piramida e Tiranës, një bizhu në një zonë tjetër. Sikur çdo kuadrat i Tiranës të ketë një ndërtim të tillë, kaq cilësor, i jep jetë dhe i shton vlerë të gjithë asaj zone. Nuk është vetëm stadiumi, çdo pallati rreth e rrotull, do t’i rritet vlera, do referohet si një vend afër stadiumit kur të shitet apo kur të reklamohet një hotel; për të gjitha këto arsye, kjo është një histori suksesi”, theksoi Veliaj.
Arkitekti i njohur italian, Marco Casamonti, i cili ka realizuar projektin e stadiumit, e cilësoi atë një vepër të jashtëzakonshme. “Jemi shumë të gëzuar sepse rezultati, edhe nga këndvështrimi teknologjik, është i jashtëzakonshëm, një stadium me të vërtetë avantgard, me arkitekturë që stabilizon të gjithë këtë pjesë të qytetit, një ide e re urbanizimi. Stadiumi nuk është thjesht një vend futbolli, por edhe një vend ku qytetarët mund të vinë për pazar, për shëtitje, ka një portik të madh”, tha Casamonti.
Kryetari i komisionit të infrastrukturës në FSHF, si dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv, Arben Dervishi, deklaroi se po bëhen kontrollet e fundit dhe se gjithçka do të jetë gati për inaugurimin e stadiumit me ndeshjen Shqipëri-Francë më 17 nëntor./top channel/