Aktuale
Loja e diellit me historitë e objektit të braktisur në “Kodrën e Trimave”
Është një objekt dykatësh që fasadë të jashtme ka vetëm strukturën e vet sqeto të betontë. Për shumëkënd, që lëshohet poshtë rrugës “Bedri Gjini”, një prej kryesoreve që përshkon “Kodrën e Trimave”, kjo ngrehinë dykatëshe nuk tërheq vëmendje.
Brenda saj është një histori që deri më tani e dinin kryesisht banorët e lagjes. Në fund të viteve ’70, objekti ishte ndërtuar si vetëshërbim i rrjetit të ndërmarrjes së dikurshme “Voqar”. Në vitin 1995, aty ndodhej restorant “Marsi”, kurse në tre vjetët e parë të pasluftës funksionoi si klub nate. Dhe prej asaj kohe, “merimangat” e braktisjes kanë bërë që objekti të harrohet në këtë cep të “Kodrës së Trimave”.
Por një ndërhyrje artistike ka bërë që të ringjallen të “pathënat” e vetëshërbimit të “Voqarit”, restorant “Marsit”, klubit të natës dhe qindra përjetimeve njerëzore. Krejt kjo është bërë e mundur falë edicionit të dytë të “Metamorphosis” me intervenimin e titulluar “Flirting with leftovers”, të organizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”.
Për fillimin e performancës së artistes konceptuale Fitore Isufi – Koja ishte zgjedhur ora 18:30 e së martës kur muzgu veç kishte rënë. “Flirti” me mbijetojat ishte menduar edhe si një mënyrë për rikthimin e vëmendjes tek ajo pjesë e trashëgimisë urbane që sot është e braktisur.
“A mundet një akt artistik ta provokojë ndjesinë e përjetimit të vetë prezencës së objektit, duke e zhvendosur tregimin që objekti i caktuar përfaqëson? A mundet të provokohet perceptimi i objektit në fjalë, si eksperiencë? A është e rikthyeshme prezenca dhe a mund të rikonstruktohet ajo?”, kishte shkruar në mënyrë përsiatëse artistja që udhëhoqi “metamorfozën” artistike të objektit.
Disa metra para objektit në kioskën e një këpucëtari ishte vendosur edhe historia e objektit gati 40-vjeçar e ndarë në pesë etapa. Etapa e parë: nga viti 1977 deri më 1992, objekti zhurmonte nga njerëz që hynin e dilnin në vetëshërbimin e mbushur me mallra. Etapa e dytë: nga viti 1995-1998, në objekt u vendos restorant “Marsi”. Etapa e tretë: nga viti 1999 deri më 2002, në objekt funksionuan njëri pas tjetrit klubet e natës, “Miami Beach” dhe “Delfini”. Etapa e katërt: braktisje. Kurse etapa e pestë një projektim dëshiror për ta kuptimësuar gjithë këtë histori.
Me t’u hapur ekspozita, dhjetëra të pranishëm u panë tek hynin me kërshëri në dy katet e objektit me shumë histori.
“Unë e kam lënë të paprekur objektin dhe e vetmja gjë me të cilën kam ndërhyrë ishte ‘loja e diellit’, një imitim i natyrës kur në orën 13:30 rrezet e diellit bien mbi të. Pra, kjo është rikthyer në mënyrë artificiale”, ka shpjeguar Koja.