Aktuale
LDK: Komuna e Obiliqit nuk i ka të qarta kompetencat për subvencionimin e energjisë
Partia opozitare në Obiliq, LDK, po dyshon se zyrtarët komunalë ende nuk i kanë të qarta kompetencat e tyre rreth zbatimit të Ligjit për Obiliqin-pjesën e subvencionimit të energjisë elektrike për qytetarët e zonës së rrezikuar.
Kuvendi Komunal kishte miratuar më herët një Rregullore për këtë çështje, por po ajo i ishte kthyer mbrapsht për shkak të shpërputhjeve ligjore. Po ai e ka miratuar sërish këtë Rregullore, pas disa ndryshimeve që i kanë bërë. Megjithatë, ish-kryetari i kësaj komune, Mehmet Krasniqi, njëherësh edhe kryetar i Degës së LDK-së në Obiliq, thotë se komuna po i ngarkon vetes kompetenca që nuk i takojnë. Sipas tij, çështja e subvencionimit të çmimit të energjisë elektrike për zonën e rrezikuar mjedisore, është kompetencë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe jo e Komunës, shkruan sot Koha Ditore.
“Neni 8 i këtij Ligji (për të cilin ka dhënë vërejtje edhe Ministria në shqyrtimin e ligjshmërisë së Rregullores) i përcakton subjektet të cilat e kanë autoritetin ligjor të merren me këtë çështje dhe komuna nuk figuron fare. Në Rregulloren e re, me sa e pashë, nuk e trajton fare nenin 8, po vetëm ka përshkruar hapa, si parapërgatitje që me autorizu kryetarin për të negociu me KEDS-in, që nuk ka fare nevojë. Është e pakuptimtë kjo. Me rregullore synohet me formu një Komision për listën e qytetarëve që do të subvencionohen. Por, KEDS-i e ka një listë të tillë sipas njësorëve të regjistruar, edhe relevante janë vetëm ato të KEDS-it”, ka thënë Mehmet Krasniqi.
Ai mendon se sa i përket lirimit të çmimit, ose beneficioneve që u takojnë qytetarëve në bazë të Ligjit për Obiliqit, autoritet është MZHE-ja dhe jo Komuna.