Aktuale
Dëmohet “Eshnorja” në Gjakovë, eshtrat e luftëtarëve dalin jashtë

Monumenti i Gjakovës në të cilën janë të vendosura eshtrat e luftëtarëve gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare është në gjendje të mjerueshme, për shkak të dëmtimit pas braktisjes së këtij vendi edhe pse gjendet në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohëshmë të Ministrisë së Kulturës.
Për këtë ka njoftuar organizata Ec Ma Ndryshe, e cila ka bërë të ditur se Eshtërorja është e hapur, gjë e cila ka dërguar në dëmtimin e tyre.
“EC Ma Ndryshe, përmes raprotimeve nga terreni ka marrë informatën se Eshtërorja (Eshnorja) e luftëtarëve të vrarë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ) është në gjendje të braktisur, pa përkujdesje dhe e hapur për vandalizim. Monumenti në fjalë është i hapur dhe eshtrat e vendosura në këtë përmendore janë të dëmtuara, disa të djegura dhe të shpërndara e pa mbrojtje dhe përkujdesje adekuate që kërkon një memorial i kësaj kategorie”, thuhet në reagimin e Ec Ma Ndryshe.
Eshtërorja është e vetmja pjesë e realizuar e projektit, i cili përfshinë Kodrën e Çabratit deri te Fabrika e Tullave.
Ec Ma Ndryshe ka kërkuar nga MKRS dhe Komuna e Gjakovës që të mbyllin vendin e kësaj eshtëroreje, sepse dëmtimi i mëtutjeshëm i tij do ta rrezikojë shëndetin publik të vizitorëve.
“Kërkojmë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (bashkë me institucionet vartëse të saj) si dhe Komuna Gjakovës Kuvendi Komunal – Gjakovë të ndërrmarrin hapa emergjent rreth mbylljes të lokalitetit ndaj ndonjë vandalizimi të mëtutjeshëm, parandalimin e ndonjë rreziku për shëndetin publik të vizitorëve të lokalitetit, trajtim dinjitoz të mbetjeve mortore dhe trajtim profesional në mbrojtje dhe konservim të këtij aseti të trashëgimisë kulturore”, ka kërkuar Ec Ma Ndryshe.
