Aktuale
Ende nuk ka filluar rinovimi i stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë
Në janar të këtij viti, Federata e Futbollit të Kosovës kishte marrë një premtim se stadiumi “Adem Jashari” në Mitrovicë do të nisë së shpejti të rinovohet dhe do ta ketë në shfrytëzim për ndeshje ndërkombëtare.
Kështu ka thënë zëvendëssekretari i FFK-së, Arianit Ahmeti, të premten, nëpërmjet telefonit për “Sportin në KTV”.
Premtim publik se shpejt do të nisin punimet në stadiumin olimpik buzë lumit Ibër, ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, dha edhe gjatë një interviste për Sportin në KTV, dhënë më 19 qershor të këtij viti.
Por, një gjë e tillë nuk ndodhi dhe nuk dihet nëse do të ndodhë, ndonëse ministri në detyrë, po ashtu të premten, nëpërmjet një mesazhi, i ka thënë KTV-së se brenda pak ditësh do të nisin punimet.
E për shkak të mosmirëmbajtjes dhe moszhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare në këtë stadium, FFK-ja e ka humbur licencimin nga UEFA.
Në fakt, në stadiumin “Adem Jashari” është investuar dy herë. Herën e parë, MKRS-ja kishte ndarë 740 mijë euro, të cilat ishin shkatërruar, kurse herën e dytë u investuan rreth 1 milion e gjysmë. Me investimin e tretë, që është premtim se do të ndodhë, stadiumi parashihet të bëhet i kategorisë së katërt të UEFA-s, ku mund të luajë edhe Kombëtarja A e Kosovës.
Por, Ahmeti thotë se stadiumi “Adem Jashari” është shkatërruar dhe mund edhe mos t’i plotësojë kriteret për ndeshje kampionale të Kosovës.
Në stadiumin që gjendet në Mitrovicë janë planifikuar të investohen rreth 12 milionë e gjysmë euro dhe punët të përfundojnë brenda dy viteve.
Kosova aktualisht e ka vetëm stadiumin “Fadil Vokrri” që i plotëson kushtet për ndeshje ndërkombëtar dhe ai mund mos t’i përballojë një numër të madh të ndeshjeve që do t’i kenë grupmoshat e reja të Kosovës dhe ekipi “A”.