Aktuale
Largohen pemët në qendër të Pejës, Komuna tregon arsyen [video]
Në sheshin e qytetit të Pejës sot janë larguar disa pemë me ndihmën e një ekskavatori.
Kontaktuar nga Ndërtimi.info, drejtoresha për Punë Komunale dhe Shërbime Publike në Komunën e Pejës, Xhevahire Çeku Kelmendi, ka thënë se largimi i tyre është bërë për shkak se kanë penguar zbatimin e projektit i cili parasheh rindërtimin e pjesës qendrore të sheshit.
Ndërsa drejtori i Urbanizmit në Komunën e Pejës, Rajan Arapi, ka thënë se ky projekt nuk udhëhiqet nga kjo drejtori megjithatë informacioni i tyre është se pas përfundimit të projektit pemët do të zëvendësohen.
Faza e parë e këtij projekti gjysmëmilionësh në sheshin e Pejës kishte filluar në fund të muajit qershor të këtij viti.
Sipas drejtorit të Financave, Jeton Abazaj, rindërtimi i sheshit të qytetit është planifikuar të bëhet në dy faza. Faza e parë sivjet, që ka vlerë të kontraktuar prej 519 mijë euro, sipas dinamikës së punimeve me tender është e planifikuar siç thotë Abazaj të kryhet për tre muaj.
Me këtë projekt, që do të financohet me mjete të arkës komunale, është paraparë që të hiqen pllakat e mermerta në tërë hapësirën e sheshit dhe të zëvendësohen me kalldrëm italian. Kurse pjesa tjetër e sheshit deri në krye të korozos, që gjithashtu i ndërrohen pllakat dhe vendosët kalldrëm italian, sipas Abazajt do të rindërtohet vitin e ardhshëm me tender tjetër.




