Featured
VV-ja synon t’i bëjë me banesa disa kategori të qytetarëve
Zgjedhje e problemit të banimit mund të jetë e vështirë për shumë qytetarë të Kosovës. E, këtë çështje e ka përfshirë në planin qeverisës Lëvizja Vetëvendosje.
VV-ja ka planifikuar banim të përballueshëm për 4 mijë banorë të Kosovë, për katër vjetet e ardhshëm. Sipas këtij plani familjet përfituese kanë mundësi të bëhen pronar të banesave duke paguar kosto mujore prej 150 eurove për 150 muaj.
“Zgjidhja e problemit të banimit sot përbën një sfidë të papërballueshme për shumë kategori shoqërore apo grupe profesionistësh. Kjo vlen si për çiftet e reja, gratë kryefamiljare por edhe shërbyesit publik si arsimtarët, infermierët, policët, zjarrfikësit apo edhe administrata publike. Si përgjigje ndaj këtij problemi do të mundësojmë banim të përballueshëm për 4.000 familje vetëm gjatë mandatit të parë qeverisës. Kjo do të arrihet përmes programit “150×150”, ku familjet përfituese do bëhen pronarë të banesave me këste mujore prej vetëm 150 eurove maksimumi dhe për një periudhë kohore prej jo më shumë se 150 muajve. Kostoja vjetore e këtij projekti është rreth 22 milionë euro, por kjo shumë gradualisht i kthehet institucionit i cili do të themelohet dhe ngarkohet me implementimin e projektit”, thuhet në programin e VV-së.