Arkitekturë
Shasi, qyteti i lashtë i 365 kishave
Qytetërimet e lashta ilire gjenden në gjithë territorin e vendit dhe kjo vjen e faktuar nga arkeolog e historinë vendas e të huaj, por duhet thënë që shumë pak prej tyre janë të studiuara siç duhet, pjesa tjetër pret t’i hiqet balta e harresa e kohës.
Sot dot të flasim për një qytetërim sa të njohur aq edhe të panjohur, do të flasim për Shasin, qytetin e humbur.
Shasit gjendet në pjesën verilindore të Ulqinit.
Thuhet se Medea mitike e lashtësisë zgjodhi këtë vend, Shasin, si stacionin e parë pas krimeve makabre që kreu ndaj familjeve të saj.
Shpellat, burimet, vendet përreth kanë qenë gjithmonë hapësira ku fshiheshin zanat, shtozavallet e qenie të tjera mitike. Banorët tregojnë se në thellësitë e liqenit, Mbreti Ilir Gent fshehu një thesar të jashtëzakonshëm, që edhe sot diskutohet mes tyre.
Gazmend Kovaçi, drejtor i muzeut të Ulqinit thotë: “Legjenda tregon sesi popullsia vendase përballë një agresioni të madh edhe përballë një pushtimi të madh, duhet të sigurojë pasuri të cilat i kishte qyteti.
Dhe legjenda si e flasin njerëzit njerëzit këtu, tregon sesi ky ar, i cili u vendos diku në tokën e Shasit, iu la amanet tokës. Legjenda tregon sesi edhe peshkatarët në periudha të caktuara kanë parë në thellësi të liqenit të Shasit edhe sasinë e arit, e cila gjendet në këtë lokalitet”.
Pjesë përbërëse e thesarit siç ruhet në popull, ishte edhe një djep, e bashkë me të edhe një tezgjah që përdorej nga vendasit për të endur pëlhurën, të dyja sipas tyre ishin të arta, si të gjithë objektet e tjera.
“Duke vazhduar më tutje me legjendën është mbreslënëse edhe sesi flitet për portat e qytetit, të cilat në legjendë dalin se kanë qenë të arta edhe të punuara prej ari. Dëndësia e popullsinë, përsëri prej legjendës, e cila flet për qytetin e Shasit, tregon sesi shtëpitë kanë qenë komplet pullaz më pullaz, të ngjitura në një territor shumë të madh”.
Sigurisht që këto janë vetëm legjenda, ndaj edhe kemi për t’iu futur pak më thellë çështjes dhe ta trajtojmë Shasin me dokumente të vërteta, pasi historia e tij duhet të tregohet e të mësohet.
Si fillim Shasi është vendbanim në Komunën e Ulqinit. Në literaturë ndeshet me emra të ndryshëm, si: Suatio, Suaço, Sovacci, Svacio, Scaç, Fshas, Saffazi etj.
Sipas regjistrimi të popullsisë së vitit 2003, ky vendbanim ka pasur 414 banorë. Të gjithë banorët janë të përkatësisë Shqiptare.
Në pjesën verilindore të Ulqinit në një lëndinë mbi Liqenin e Shasit ndodhet qyteti mesjetar i Shasit. Tani është gërmadhë e pabanuar me njerëz. Si i tillë konsiderohet ndër qytetet më atraktive “të vdekura” në bregdetin Adriatik.
Sipas pozitës së kësaj kështjelle e cila ishte në afërsi të Liqenit të Shasit në fushën pjellore dhe në rrugën romake Olcinium- Shkodër, me sa duket ka qenë vërtetuar sikur gërmadhë që në kohën e ilirëve.
Jo larg qytetit, në fshatin Shas është gjetur amfora antike ovoide e cila ka shërbyer për varrosje, e pak më larg në lokalitetin Gjeret, tek Liqeni i Zogajve edhe gjurmët e vendbanimit primitiv të ilirëve, çka dëshmon se kjo trevë ka qenë e banuar që në periudhat e hershme historike.
Shasi për herë të parë në dokumente të shkruara përmendet në shek. IX si qytet ipeshkvnor ( Svacia Civitas) Rreth vitit 1183 e pushtoi Stefan Nemanja dhe bashkë me qytetet tjera ia bashkangjiti Rashkës. Mongolët e shkatërruan tërësisht më 1242, ndërsa e rindërtoi mbretëresha Helena Anzhuine.
Plotësisht u shkretua kur e zaptuan turqit më 1571. Sipas Marin Biccit – 1610 , Shasi ka pasur 365 kishë, që përkon me numrin e ditëve të një motmoti, por sot në këto rrënoja mund të dallohen vetëm tetë kishë nga të cilat dy janë më të mëdhaja: katedralja e Kishës së Shën Gjonit, e ndërtuar me stil gotik dhe Kisha e françeskanëve të Shën Mërisë, të lashta rreth 1300 vjet.
Të gjitha kishat në Shas kanë qenë të zbukuruara me dekorime arkitektonike dhe freska, e në disa edhe tani dallohen gjurmët e ngjyrave në mure. Pjesët e mbetura të fortesës gjenden në shkrepa mbi Liqenin e Shasit, kurse paralagjja në vazhdim kah perëndimi. Hyrjen në qytet me sipërfaqe prej 15 hektarë e kanë bërë të mundshëm dy porta. Hulumtimet e para arkeologjike të qytetit të Shasit janë bërë në tetor e nëntor të vitit 1985.
Me këtë rast u gjetën rreth pesëdhjetë monedha metalike, nga të cilat një e arit, tri të argjendta, kurse të tjerat janë të bronzta. Tri paratë më të vjetra janë nga periudha bizantine nga fundi i shek. XII deri në mesin e shek. XIII.
Nga koha e qeverisë së Nemanjës janë dy copa parash – bizantin e serb; monedhat e shumta nga qytetet fqinje i takojnë çerekut të fundit të shek. XIV, ndërsa nga tri monedha metalike janë të Tivarit, të Kotorrit dhe të qytetit të panjohur.
Zbulimet më të vjetra nga qyteti i Shasit i takojnë periudhës parahistorike. Periudha antike nuk është vërtetuar në Shas. Disa copëzime helenike të qeramikës që janë gjetur në pjesën lindore të Shasit tregojnë se është e mundshme që në atë pjesë të tij të gjendet një shtresë helenike.
Qyteti mesjetar u formua në kohën e hershme të periudhës bizantine, kurse zgjati në kontinuitet deri me paraqitjen e turqve, respektivisht përafërsisht deri me pushtimin e Shkodrës ose edhe më vonë.
Mjaft të pasur janë zbulimet e vorbësve, edhe pse nuk janë të përfaqësuara të gjitha epokat. Më së shumti janë gjetur enë shtëpiake. Copëzat e shekullit VI janë të pakta, por me siguri besohet se ato i takojnë rrafshit ilir nga koha e Marvikisë dhe Iraklisë.
Vorbësia sllave është e përfaqësuar në të gjitha shtresat nga shek. VII deri në shek. XI. Gati e gjithë vorbësia shtëpiake e shekullit të hershëm mesjetar i takon rrafshit kulturor serb, por kah fundi i jetës së Shasit vërehet prezenca e enëve të importuara, me siguri me origjinë venedikase.
Zbulimet e stolive nuk janë të pranishme vetëm si separate në varreza, por edhe në shtresa. Në stoli bizantine bëjnë pjesë qaforet me margaritar xhami, vathë e thjeshtë, unazat, tri pulla korale e disa katramëza. Gjatë gërmimit janë gjetur edhe shumë sende tjera nga hekuri, midis të cilëve pjesë nga pajime shtëpiake: (veriga, pyka, mentesha, brava e të ngjashme).
Në vitin 1985 Akademia e Shkencave të Serbisë me nguti ndërpreu hulumtimet, kur vërejten se kanë të bëjnë me një qytet të lashtë shqiptar. Sipas prof. Aleksander Cilikov në muzeun etnografik të Ulqinit ruhen 100 objekte nga qyteti i Shasit.
Përveç Shasit në periudhën veneciane rreth Liqenit të Shkodrës, ishin edhe qytetet Drishti, Danja dhe Sarda.
Marrë me shkurtime nga: Shasi I Lashte Monument I Kultures (Përmbledhje e kumtesave nga Sesioni Shkencor i mbajtur me 16-17 maj 2008,Ulqin,ORA – ANA E MALIT,f.13-14-15-16-17). Përshkroi: Anton Pllumaj, Tuz-Malësi e Madhe dhe nga emisioni “Gjurmë Shqiptare” i gazetarit Marin Mema.