Connect with us

Aktuale

Jetësimi i “Kosovës së Re” varet nga partia që merr pushtetin

Published

on

Jetësimi i Termocentralit “Kosova e Re”, projekt ky që është në fazën finale, mbetet i varur nga zgjedhjet, përkatësisht rezultati i zgjedhjeve. Bazuar në deklaratat e partive politike gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 6 tetor në Kosovë, subjektet politike të cilat po synojnë të krijojnë qeverinë e re, po japin vlerësime të ndryshme rreth jetësimit të projektit, që përfaqëson investimin më të madh të huaj në Kosovë.

Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global”, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do kushtojë 1.3 miliard euro.

Bazuar në këtë marrëveshje, partitë politike tani prezantojnë edhe qëndrimet e tyre rreth zbatimit të saj.

Partia Demokratike e Kosovës thotë se, nëse i fiton zgjedhjet, do ta përfundojë këtë projekt. Memli Krasniqi, kandidat për deputetë në Kuvendin e Kosovës nga PDK-ja, thotë për Radion Evropa e Lirë se për Kosovën është jetike që të ketë sigurinë energjetike.

“Ne, sot edhe kësaj dite, edhe pse kemi ndër pasuritë më të mëdha krahasuar me të gjitha shtetet e Evropës, për sa i përket thëngjillit, linjitit, ne nuk kemi prodhim të mjaftueshëm të energjisë dhe ende shpenzojmë shumë në import, por mbi të gjitha nuk kemi një siguri për dekadat e ardhshme. Është për keqardhje sa shumë është vonuar projekti i “Kosovës së Re”, sa herë është ndryshuar, është adaptuar dhe do të ishte po ashtu për keqardhje që tash, kur është finalizuar pothuajse, të dështojë një projekt i tillë”, ka thënë Krasniqi.

Po ashtu, edhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate, me gjithë vërejtjet, është në favor të vazhdimit të projektit. Dardan Sejdiu nga ky koalicion (Partia Socialdemokrate), thotë se ka mbajtur një qasje kritikë ndaj marrëveshjes, por Termocentrali duhet të ndërtohet.

“Tash jemi në situatë krejt tjetër, tash e kemi ‘Contour Global’, i cili ka një vit që nuk është në gjendje të gjejë financimin dhe “Contour Global” po e vonon Kosovën e jo Kosova atë. Unë besoj që gjëja e parë që duhet të bëjmë është që menjëherë me qeverinë e re të sigurohemi që ‘Kosova e Re’ të ndërtohet pa marrë parasysh, si të thuash, idenë që e kemi me “Contour Global”, nëse nuk i gjen financat, duhet të ecë tutje, nëse i gjen, atëherë duhet të flasim për marrëveshje” .

Një qëndrim tjetër rreth projektit për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, ka prezantuar Bilall Sherifi, nga Nisma Socialdemokrate. Ai thotë se Termocentrali “Kosova e Re” duhet të ndërtohet, por jo në formën siç është nënshkruar marrëveshja paraprake.

“Që nga fillimi kemi qenë kundër kësaj. Në Parlament, në emër të Grupit Parlamentar kam pasur fjalën time dhe kështu siç është planifikuar, apo le të themi siç është ideuar, është i dëmshëm dhe është shumë, tejet, i shtrenjtë. Prandaj, po gjithsesi kapacitete, termocentrale duhet të ndërtohen në Kosovë, por jo kështu siç na është prezantuar apo siç është nënshkruar marrëveshja paraprake”, thekson Sherifi.

Kundër këtij projekti është Lëvizja Vetëvendosje. Albulena Haxhiu nga kjo parti thotë se marrëveshja me “Contour Global” nuk do të jetësohet, pasi, sipas saj, kompania në fjalë mund të rrisë faturat e energjisë elektrike.

“Në këtë kuptim, me qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, marrëveshje me ‘Contour Global’ nuk do të jetësohet. Është një marrëveshje jashtëzakonisht shumë e dëmshme dhe përveç tjerash, faturat e energjisë elektrike për qytetarët tanë, do të rriten deri 100 %. Vetëvendosje nuk do të jetësojë marrëveshje, të cilat u vihen në kurriz qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Kosovës”, thotë Haxhiu.

Ndërkaq, në programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës thuhet se nëse i fiton zgjedhjet, LKD-ja do ndërtojë kapacitete të reja energjetike, siç thuhet në raport, “ Kosova C” , por do të refuzojë secilën alternativë investuese që shtrenjton çmimin përfundimtar të energjisë elektrike prej 100 për qind.

Në program thuhet se për bindjet e LDK-së, pavarësia energjetike është prioritet i sigurisë nacionale dhe i qëndrueshmërisë ekonomike. Në këtë drejtim, LDK-ja beson në mbylljen e Termocentralit “ Kosova A” dhe rivitalizimin e “Kosovës B”.

Bazuar në qëndrimet e qeverisë aktuale, por e cila është në largim dhe ministrit aktual të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, në rast të zvarritjes së konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re pas zgjedhjeve të 6 tetorit, atëherë do të ketë vonesa në realizimin e këtij projekti, çka sipas tij, mund të sjellë edhe ndëshkime financiare për Kosovën.

Sipas tij, nëse deri në muajin maj të vitit të ardhshëm të dy palët ( Qeveria e Kosovës dhe ‘Contour Global’) nuk arrijnë t’i përfundojnë të gjitha procedurat, fillojnë ndëshkimet.

“Nëse projekti zvarritet për shkak të problemeve të Kosovës, obligimi financiar ndaj kompanisë ‘Contour Global’ është 19.7 milionë euro, ndërsa nëse ‘Contour Global’ nuk arrin të sigurojë pakon financiare, atëherë ata i detyrohen Kosovës me një vlerë prej 17.5 milionë eurosh”, bën të ditur Lluka.

Në fund të vitit të kaluar Banka Botërore ka njoftuar se nuk do ta mbështesë Termocentralin “Kosova e Re”, mirëpo zyrtarë të kompanisë “Contour Global”, kanë thënë se ky termocentral do të ndërtohet edhe pa mbështetjen e Bankës Botërore/REL

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending