Aktuale
Teatri Kombëtar i Kosovës shqyrton pezullimin e repertorit shkaku i ujërave të zeza
“Shfaqja” më e rregullt kohëve të fundit në Teatrin Kombëtar të Kosovës mund të titullohet “Ujërat e zeza”. Bllokimi i kanalizimit ka bërë që ujërat të vërshojnë sërish në bodrum e aty nuk mund të hyhet pa çizme. Institucioni më i lartë teatror në vend numëron pesë ditë që është në hall. Kundërmimi tashmë është rutinë. Rrezik i përhershëm mbetet kontakti i ujit me rrjetin elektrik.
E sistemi i ngrohjes qendrore, që është po ashtu në bodrum, sipas punonjësve, tashmë duhet ta ketë pësuar. Menaxhmenti i TKK-së ka njoftuar kompaninë e ujësjellësit rajonal “Prishtina”. Ekipi i kësaj kompanie ka pastruar dy puseta afër TKK-së, por kësaj radhe ky intervenim nuk ka dalë i suksesshëm.
“Këtë çështje do ta diskutojmë edhe në mbledhjen e Këshillit Drejtues”, ka thënë Basri Lushtaku, i cili të hënën ka kërkuar ndihmë edhe nga Ministria e Kulturës. Sipas tij, nëse Inspektorati Sanitar konstaton se nuk ka ambient pune, atëherë do të pezullohet repertori.
Sipas organizatorit, Beqir Beqiri, gjatë ditëve të fundjavës uji ka arritur nivelin mbi 20 centimetra. Ai ka thënë se sistemi i ngrohjes qendrore që gjendet në bodrum mund të jetë dëmtuar. Sipas tij, ai sistem kushton 4 mijë euro.
MKRS-ja është në vlerësim të ofertave të tenderit për “Intervenimet Emergjente të Pjesërishme në Objektin e Teatrit Kombëtar, Prishtinë”. Njoftimi për këtë tender është bërë më 29 korrik, kurse në ditën e 13-të të gushtit është mbyllur afati për aplikim.