Aktuale
LDK premton ujë të pijshëm në gjithë Kosovën si dhe përfshirje në gazsjellësin TAP
Lidhja Demokratike e Kosovës në programin e saj të shpalosur për zgjedhjet e 6 tetorit ka paraqitur bindjet e saj ndër të tjera edhe në lidhje për ruajtjen së ambientit, pavarësinë energjetike, investimet në energjinë e ripërtëritshme si dhe furnizimin me ujë të pijshëm.
Sipas LDK-së Termocentrali “Kosova A” do të duhej të mbyllej, ndërsa do të duhej të bëhej rijetësimi i Kosovës B si dhe të bëhej ndërtimi i kapaciteteve të reja të “Kosovës C”.
“Për këtë të fundit, LDK-ja do të refuzojë secilën alternativë investuese që shtrenjton cmimin përfundimtar të energjisë elektrike prej 100 përqind. Kthimi në termat fillestarë të investimit është domosdoshmëri; në të kundërtën, nëse të njejtat nuk mund të plotësohen, alternativat dhe modalitetet tjera investuese do të merren parasysh”, shkruhet në programin e LDK-së.
Gjithashtu sipas kësaj partie po qe se do t’i fitojë zgjedhjet do të angazhohet në investimet për energjinë e ripërtërtishme, duke bërë studimin e fizibilitetit për përfshirjen e Kosovës në gazësjellësin TAP, që në ditët e para. Ndërsa realizimi i këtij projekti do të bëhet gjatë mandatit të parë.
Pos kësaj Lidhja Demokratike e Kosovës me Vjosa Osmanin si kandidate për Kryetare ka premtuar edhe zgjerimin e rrjetit të ngrohjes qendrore nëpër kryeqendra të Kosovës.
Po ashtu edhe sipas saj, kjo parti do të hartojë edhe një program nacional për furnizim me ujë të pijshëm, ku prioritet do të jenë Komuna e Gjakovës dhe Gjilanit, të cilat kanë mungesë në këtë fushë. Por ajo vazhdon të premtojë që brenda mandatit i gjithë territori i Kosovës të ketë furnizim me ujë të pijshëm.