Aktuale
Milionat që fitohen nga shkatërrimi i kodrave dhe lumenjve
M. Thaçi nuk ka zbritur për të gjuajtur peshq në Kramovik të Komunës së Rahovecit, nëpër të cilin kalon Drini i Bardhë. Po kërkon zhavorr, ndërsa peshqit i kanë shkuar afër lagjes së tij në Gurin e Kuq, fshat kodrinor në të cilin është mbushur me ujë një minierë disa metra e thellë dhe e braktisur, e që përbën rrezik për fëmijët e kafshët.
Ka në plan ta ngrejë një shtëpi të re në katund, prandaj i duhen dhjetëra kubikë zhavorr që ka me bollëk në fshatin fqinj. Por, meqë ka disa operatorë që shesin, ai hulumton se ku mund të gjejë më lirë. E në Kramovik ke çka të hulumtosh. Operatorë legalë e ilegalë nxjerrin më të madhe rërë e zhavorr nga shtrati i Drinit të Bardhë, që përbën ujëmbledhësin më të madh të Kosovës dhe pasi bashkohet me Drinin e Zi derdhet në detin Adriatik, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Përpara u lëshojsha për peshq këtu”, tregon ai me dorë nga një sipërfaqe e kthyer në moçal, e që dikur ishte shtrat lumi. “Nuk është ai lumi që ka qenë. Prej që po nxjerrin zallë, është prishë. As peshku nuk ka ku rri”.
Një eksploatues i rërës dhe zhavorrit e ka të ngritur separacionin, me ta lëshuar në të majtë magjistralen nga Prishtina për në Gjakovë, pak pa mbërritur te ura mbi Drinin e Bardhë. Ai ndodhet në cep të asfaltit, brenda në fshat. Disa metra tutje pasi kalon shkollën e fshatit, një kthesë në të djathtë të futë në një rrugë me gropa, e frekuentuar kryesisht nga kamionë, e cila të ço thellë në zonën eksploatuese. Nga shtrati i lumit ekskavatorët nxjerrin rërën e përzier, e cila bartet për në separacione, disa të ngritura buzë lumit e disa edhe më larg, të cilat i ndajnë gurët në kategori të caktuara madhësish. Pastaj, pas një procesi pastrimi e ndarjeje, rëra bëhet e gatshme si material ndërtimi.
Punonjësit në dy separacione në Kramovik tregohen miqësorë me M. Thaçin, kur ai ua shpreh interesin për ta blerë sasinë e zhavorrit që i duhet për ngritjen e shtëpisë së re. Por në të dyja refuzojnë të flasin për gazetën, kur u kërkohet të japin informacione në lidhje me veprimtarinë që e zhvillojnë. Një punonjës, pasi komunikon me pronarin e separacionit, sugjeron që as foto të mos bëhen në vendin ku nxirret zhavorri.
Për ndërtim, por edhe për bazamente rrugësh, përdoret edhe zhavorri që përfitohet nëpër gurëthyes. Kësisoj, përpos shtretërve të lumenjve, edhe kodrat e maleve janë kthyer në thesar për disa biznese e njerëz, kryesisht të lidhur me politikën.
Një aksion i ndërmarrë së fundmi nga Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), në të cilin ishin të përfshira edhe shumë institucione të tjera, ka evidencuar veprimtari ilegale të kësaj natyre tek 182 operatorë. Raporti preliminar me këtë të dhënë, e që nuk është publikuar deri tash, i është bërë i ditur gazetës. Qoftë për shkak të operimit krejtësisht ilegal, qoftë për shkak të operimit duke mos iu përmbajtur licencave a lejeve, atyre u janë vënë shiritat, e kundër disave janë ngritur kallëzime penale.
Disa përfundojnë aktivitetin, duke mos i rehabilituar sipërfaqet e degraduara. Hendeqe që kanë lënë, kanë marrë shumë jetë.
“Peshkaqenët” i gëlltisin lumenjtë
Në lumenj është nxjerrë zhavorr prej kohësh, por që nga 1999-a veprimtaria ka përjetuar rritje shkaku i nevojës për të ushqyer hovin e ndërtimit të pasluftës. Një dekadë pas çlirimit, Drini i Bardhë kishte 861 hektarë të degraduar që ishin raportuar. Tre vjet më vonë, sipërfaqja e këtillë mbërriti në 1011 hektarë.
Gjatë periudhës 2015-2018, 75 operatorë janë pajisur me licenca për nxjerrje të rërës e zhavorrit. Por shumë kanë gërryer pa u pajisur me të. Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta, vetëm brenda një aksioni të realizuar këtë vit janë evidencuar 52 separacione duke operuar jashtëligjshëm.
Në Komunën e Rahovecit ka rreth 500 hektarë sipërfaqe ujore. Nxjerrja e inerteve ka shkaktuar degradim të shtretërve të lumenjve. Për pasojë, Drinit të Bardhë i është ndërruar edhe rrjedha natyrore.
Pjesë të rrjedhës së Drinit të Bardhë në Kramovik ngjasojnë në moçal. E në brigje shihen jo pak pellgje.
Një e dhënë konfirmon se situata nuk është e re.
“Operatorët legalë dhe ilegalë që veprojnë përgjatë shtratit të lumit Drin, nga hyrja e lumit në zonat kadastrale të Rahovecit në Mrasor e deri në dalje të tij në Krushë të Madhe, përveç në epigjeninë e kanionit të Urës se Fshejtë, kanë degraduar sipërfaqe të mëdha të tokave bujqësore, si dhe është shkatërruar shtrati i lumit me 4039 hektarë”, thuhet në Planin Zhvillimor Komunal të Rahovecit, i nxjerrë qysh në 2011-n. “Në bazë të vizitave në terren, janë identifikuar këto dukuri në këto vendbanime: Kramovik, Qiflak, Dabidol, Dejnë, Ratkoc, Radostë, Xërxë dhe Krush e Madhe”.
Degradimi ka njohur vetëm thellim, ani se ka gati një dekadë prej kur në këtë dokument ishte shtruar nevoja që komuna “duhet të fillojë me parandalimin e eksploatimit, si masë preventive”, pasi ishte konsideruar se rehabilitimi i sipërfaqeve të degraduara është projekt që kushton dhe komuna me fondet që ka nuk mund ta realizojë.
Tani autoritetet komunale kanë refuzuar të prononcohen për situatën. Në një përgjigje të shkruar të Zyrës për Informim, vetëm është thënë se “ne nuk jemi kompetentë të ju japim përgjigje”.
Vetëm në Rahovec e Malishevë, brenda gjashtë muajsh janë evidencuar operime të jashtëligjshme të 36 operatorëve të ndryshëm, shumica nga të cilët janë ose separacione, ose baza të betonit.
Në nivel të Kosovës ekzistojnë rreth 110 paraqitje dhe vendburime të rërës dhe zhavorrit. Rezervat janë të koncentruara në shtretërit e lumenjve kryesorë. Resurset totale janë rreth 331 milionë metra kub.
Strategjia minerare e Kosovës, referuar periudhës 2012-2025, flet për nevojën që shtretërit e lumenjve të kursehen nga eksploatimi.
“Bazuar në faktin se ndikimet mjedisore gjatë procesit të shfrytëzimit të rërës dhe zhavorrit janë të dukshme dhe qasja e kufizuar për shkak të destinimeve të tjera të tokës ku shtrihen këto vendburime, kjo veprimtari rezulton të jetë e paperspektivë dhe duhet bërë zëvendësimi i operimeve të tilla në favor të shfrytëzimit të shkëmbinjve të fortë silikatë dhe karbonatikë”, thuhet në këtë dokument.
Mbështetur në një raport që Ministria e Mjedisit ia ka prezantuar gazetës, brenda tre vjetësh sipërfaqe e madhe është dëmtuar nga eksploatimi i rërës dhe zhavorrit. Përpos lumit më të atakuar që është Drini i Bardhë, sipas raporti, të dëmtuar janë edhe Lumëbardhi i Pejës, Krivareka, Ereniku, Desivojca, Morava e Binqes dhe Ibri. Në total, sipërfaqja e degraduar nga “peshkaqenët” që gërryejnë shtretërit dhe brigjet e lumenjve është 1.219.23 hektarë.
Disa nga lumenjtë e degraduar gjarpërojnë në territorin e Gjakovës. Autoritetet lokale në Komunë kanë konfirmuar dëmet, por kanë adresuar tek autoritetet qendrore përgjegjësinë për situatën.
“Janë te degraduara në masë të konsiderueshme, sidomos brigjet e lumenjve Ereniku dhe Drini”, thotë Nikollë Lleshi, drejtor për Punë Inspektuese në këtë komunë. “Përgjegjësia e lumenjve jashtë zonës urbane është e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Komisionit për Miniera dhe Minerale”.
Në Ministri kanë thënë të jenë duke punuar, ani se rezultatet nuk shihen në terren.
“Pasojat (nga aktiviteti i këtyre operatorëve v.j.) janë të natyrave të ndryshme: në eksploatim kemi të bëjmë me degradim të terrenit, kurse në imtësim dhe seperim kemi ndotjen e ajrit nga pluhuri i ngritur”, thuhet në një përgjigje të Ministrisë së Mjedisit. “Ministria vazhdimisht i inspekton të gjithë këta operatorë dhe konform shkeljeve ligjore merr masa ligjore. Së fundmi jemi në aksion të përbashkët edhe me institucione të tjera relevante si: KPMM-në, APK-në, me komunat përkatëse dhe me Policinë e Kosovës”.
Aksioni është kryer. Por as pas përmbylljes së tij, në Kramovik operatorët nuk janë ndalur. Ekskavatorët gërmonin në shtratin e Drinit të Bardhë, kamionët bartnin pareshtur rërë, e makineritë në separacione ndanin zhavorrin në kategori.
“Elefantët” e politikës hanë kodrat
Ka dy rrugë për të mbërritur në Prishtinë nga Kramoviku: njëra nëpërmjet magjistrales për në Gjakovë, e tjetra nëpërmjet asaj që lidh Rahovecin me Malishevën. Përgjatë të dyja magjistraleve shihen gurëthyes që gërryejnë kodra malesh.
Në territorin e këtyre tri komunave operojnë çereku i operatorëve ilegalë të evidencuar në gjashtë muajt e fundit në nivel vendi. Shumë nga ta janë separacion me gurëthyes apo baza betoni.
Petrit Bekaj është në krye të drejtorisë përgjegjëse për inspektimet në Klinë. Ai thotë të mos jetë në dijeni për aktivitete ilegale të këtyre guroreve.
“Në Komunën e Klinës operojnë 9 gurëthyes, të cilët janë të pajisur me licenca nga ana e KPMM-së”, thotë ai. “Neve si komunë deri më tani nuk kemi pranuar ankesa me shkrim nga ana e banorëve, dhe këtyre operatorëve u është bërë inspektim së bashku me inspektorët e KPMM-së”.
Por raporti i KPMM-së, referuar aksionit për të cilin flet ky drejtor komunal, ka evidencuar shkelje tek 4 separacione me gurëthyes dhe në 5 operatorë me veprimtari të përafërt, që operojnë në territorin e Klinës.
Në Kosovë ka një numër të madh burimesh të shkëmbinjve të fortë, që kanë mundësi të përdoren në ndërtimtari. Llojet më të rëndësishme janë ato që bëjnë pjesë në kuadër të shkëmbinjve silikatë. Ata me vlera të larta gjenden kryesisht në pjesët veriore, verilindore dhe lindore të vendit.
Me valën e madhe nga viti 2008 në ndërtimin e rrugëve dhe punëve të tjera, shfrytëzimi i tyre është ngritur. KPMM-ja ka lëshuar deri tash rreth 500 licenca, qoftë për hulumtim apo për shfrytëzim të gurit të fortë. Raporti i 2018-s i këtij institucioni tregon se trendët janë në rritje dhe se, në vitin e shkuar, të hyrat e sektorit minerar ishin 26.024.451.05 euro. Aty edhe tregohet se sasia e masës vëllimore të minuar në miniera sipërfaqësore është 5.635.298.33 metra kub.
Një hulumtim i organizatës “Çohu”, i realizuar këtë vit, ka gjetur se 42 kompani që zhvillojnë aktivitet në këtë industri kanë lidhje me politikën.
“Lidhjet e kompanive me politikën fillojnë nga donatorët e subjekteve politike dhe vazhdojnë deri në zyrtarë të lartë partiakë e institucionalë”, thuhet në këtë hulumtim. “Këto kompani kanë marrë 116 licenca nga KPMM-ja”.
E një studim i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i publikuar vitin e shkuar, ka trajtuar atë që e ka kualifikuar si “Ekonomia politike e zhavorrit”. Studimin e ka orientuar nga perspektiva e kapjes së shtetit. Mbështetur në të, të njëjtat interesa politike që kanë çuar në një hov masiv në investimet rrugore, gjithashtu kontrollojnë rregullimin e nxjerrjes së zhavorrit.
“Kjo e fundit është ndikuar shumë nga rregullimi i shtetit – nga faza e licencimit, deri te inkasimi i qirasë minerale, deri te monitorimi i ndotjes së mjedisit – dhe është në duart e një numri të kufizuar njerëzish dhe institucionesh. Si i tillë, kontrolli mbi këto institucione është kyç në përcaktimin se nëse nga proceset dhe rezultatet përfitojnë qytetarë ose interesa të ngushta”, thuhet në raport. “Siç tregon hulumtimi, proceset i kanë favorizuar shumë më shumë këto të fundit”.
Mes rasteve të studimit është edhe një nga guroret në Astrazup të Malishevës, për të cilën në vitin 2013, një raport hetimor gjeti se, ndërsa kompania ishte regjistruar nën emra të tjerë dhe i ishin ndryshuar pronarët disa herë, në disa fatura të lëshuara për të, personi i kontaktit i listuar ishte vëllai i Hashim Thaçit, që atëherë ishte kryeministër e tash president i Kosovës. E themeluar në vitin 2007, kompania fillimisht e kishte renditur aktivitetin e saj si “zhvillim i projekteve në inxhinieri” dhe kishte dhënë si person kontaktues dikë, i cili në vitin 2013 do të bëhej anëtar i Bordit të KPMM-së. Në vitin 2008, vit kur partia që e drejtonte Thaçi erdhi në pushtet, kompania ndryshoi aktivitetin e saj kryesor nga zhvillimi i projekteve në nxjerrjen e gurëve.
Ndodhet në Komunën e Malishevës kjo gurore që ka fituar tenderë milionësh e është kontraktuar edhe nga operatori që e ka ndërtuar autostradën më të kushtueshme të Kosovës, atë “Ibrahim Rugova”.
Autoritetet komunale tregojnë se banorët rrëze gurores, jo rrallë herë kanë ngritur zërin.
“Edhe Komuna disa herë i ka adresuar shqetësimet e banorëve në Komisionin për Miniera dhe Minerale, përkatësisht në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Komunës. “Gurëthyesit janë përgjegjësi e nivelit qendror dhe Komuna nuk mundet të bëjë më shumë”.
Vitin e shkuar, Kuvendi Komunal ka mbajtur një debat për gurëthyesit që veprojnë në territorin e Malishevës, në veçanti për atë në fshatin Kërvansari dhe Astrazup. Pas debatit, u është bërë thirrje institucioneve qendrore të obligojnë gurëthyesit t’i zbatojnë kriteret e përcaktuara nga ligji në fuqi.
Dibran Kastrati është drejtor i Inspektoratit në Komunë. Ai ka adresuar një shkresë në KPMM, në të cilën ka theksuar se, edhe pse janë të licencuar gurëthyesit që veprojnë në Komunë, ka shumë raste që nuk janë duke iu përmbajtur rregullave të përgjithshme për mënyrën e funksionimit dhe të ushtrimit të veprimtarisë së tyre afariste.
“Kërkojmë nga ju që ta bëni një plan operativ e që, në bashkëpunim edhe tonin, të inspektojmë të gjithë gurëthyesit e licencuar, por edhe për gurëthyesit eventualë ilegalë për mënyrën e funksionimit të ushtrimit të veprimtarisë së tyre në përgjithësi”, thuhet në shkresë.
KPMM-ja ka fushëveprimin për të gjitha aktivitete që përfshijnë hulumtimin, shfrytëzimin, por edhe pasurimin e lëndëve minerale në Kosovë. Në këtë institucion kanë thënë se operimet e jashtëligjshme në këto fusha janë duke shkaktuar humbje shumë të mëdha për buxhetin e shtetit, pastaj degradim të mjedisit, humbje të jetës së njerëzve, konkurrencë jolojale në treg dhe përdorim jocilësor të materialeve në infrastrukturën rrugore.
Kryeinspektori i KPMM-së, Fatmir Gerguri, e ka drejtuar aksionin që nuk është kufizuar vetëm në Malishevë dhe ka zgjatur përreth gjashtë muaj. Ai thotë se gjatë kësaj periudhe, shumë operatorëve u janë lëshuar urdhëresat për ndalim të aktivitetit minerar dhe u janë vendosur shiritat e ndalimit nga policia regjionale përkatëse. Ka treguar edhe se në Malishevë, por edhe në disa raste të tjera, disa operatorë kanë vazhduar punën edhe pasi inspektorët kanë vënë shiritat për ndalim operimi.
“Është detyrë parësore e Policisë së Kosovës se aty ku kemi vendosur shirita të ndalimit, t’i monitorojë dhe në rast të prishjes së tyre të ngrihen kallëzime penale për dëmtim të shenjave zyrtare. Kemi disa raste të tilla, sidomos në Komunën e Pejës dhe atë të Malishevës, dhe po ashtu të Kamenicës”, thotë Gërguri. “Tek operatorët që janë takuar në vendshfrytëzim është vepruar njësoj sikur në rastin e mësipërm, por këtu edhe janë vendosur gjobat”.
Një raport përmbledhës, i siguruar nga gazeta, konfirmon se gjatë aksionit janë evidencuar një numër i konsiderueshëm i shfrytëzimeve dhe objekteve përpunuese pa licencë shfrytëzimi apo leje për aktivitete të veçanta, për të cilat janë lëshuar urdhëresa për ndërprerjen e aktivitetit të jashtëligjshëm minerar, si dhe në disa raste janë bërë raporte për ndërprerjen e aktivitetit.
Gazetës i janë ofruar edhe statistika tabelare të hartuara këtë muaj. Mbështetur në to, tek 182 operatorë në nivel të Kosovës janë vendosur shiritat. Vetëm në Malishevë dhe Rahovec janë vendosur tek 36 sish. Komuna me numër dyshifrorë të operatorëve që kanë vepruar ilegalisht ose që kanë vepruar në kundërshtim me licencat a lejet janë edhe Gjakova, Prizreni, Peja, Suhareka dhe Klina.
Por, edhe në Kosovën qendrore situata pak ndërron.
Imer Rrustemi, drejtor i Inspektoratit në Lipjan, ka treguar se në territorin e kësaj komune së fundmi janë inspektuar 10 gurthyes aktivë, si dhe 7 betonjerka, dy prej të cilave janë mbyllur shkaku që punonin pa licencë.
Edhe në Lipjan, sikurse edhe në komunën fqinje, Drenas, guroret kryesore janë në pronësi të “elefantëve” të politikës, ose që janë në lidhje familjare me ta.
Edhe në Agjencinë e Pyjeve kanë thënë të ketë aktivitet ilegal të guroreve, por edhe tejkalime të licencave nga operatorë legalë.
Besim Zogu, drejtor i Drejtorisë Qendrore të Inspektoratit për Pylltari, ka dhënë disa statistika që lidhen me guroret.
“Nëse e analizojmë sipërfaqen e cila shfrytëzohet nga operatorët ekonomikë, të cilët operojnë ilegalisht sipas legjislacionit në fuqi, në pyje dhe toka pyjore nuk mund të jenë më shumë se 300 hektarë”, thotë Zogu. “Nuk mund ta konsiderojmë se kjo sipërfaqe është e degraduar, pasi aplikohen kriteret e pagesës së kalkulimit të dëmit të shkaktuar nga rritja vjetore për 25 vjet për pyje të ulëta dhe 60 vjet për pyje të larta, kostoja e rehabilitimit pas shfrytëzimit, aplikimi i masave tjera të sigurisë dhe një garanci bankare se sipërfaqja e shfrytëzuar do kthehet në gjendje paraprake”.
Veprimtaria që ka marrë shumë jetë
Mbështetur në legjislacionin në fuqi, tek rasti i shfrytëzimit të mineraleve, operatorët ekonomikë janë të detyruar të kenë projektet e rikultivimit të sipërfaqeve të shfrytëzuara, duke poseduar edhe minimumin e 30 për qind të vlerës së shumës së planit të rikultivimit si garanci bankare, së bashku me komponentët e tjerë. Për këtë aktivitetet, kompanitë paguajnë në vit 20 cent për metër katrorë, përkatësisht 2 mijë euro për hektar. Por rehabilitimi rrallë ndodh, meqë garancia bankare është shumë më e vogël sesa kostoja për rehabilitim të sipërfaqeve të dëmtuara.
Një raport i KPMM-së ka evidencuar shumë zona të braktisura me potencial rreziku, pasi në to kanë kryer veprimtarinë operatorët ilegalë.
“E kemi një numër të konsiderueshëm të zonave të braktisura të evidencuara dhe që në fakt janë rrezik potencial për komunitetin, dhe të gjitha këto lidhen me operime të jashtëligjshme të shfrytëzimit të resurseve prej argjilave, rërës e zhavorrit dhe qymyreve”, thotë kryeinspektori Gërguri. “Jemi në përpjekje e sipër të fillojmë me rehabilitimin e një numri jo të madh të minierave të braktisura për të cilat kemi garanci bankare të konfiskuara. Për numrin tjetër të rehabilitimit të tyre është përgjegjës edhe Shërbimi Gjeologjik i Kosovës, me të cilin bashkëpunojmë për zgjidhjen e këtyre rasteve”.
Dëmtimet mjedisore nga operimet e jashtëligjshme, përpos që janë bërë formë e pasurimit të paligjshëm, kanë cenuar konkurrencën e mirëfilltë në sektorin minerar dhe kanë degraduar mjedisin.
Një raport i KPMM-së i papublikuar, e në të cilin ka pasur qasej gazeta, liston disa prej pasojave që burojnë nga aktiviteti i makinerive gërryese, qoftë në kodra, apo edhe në lumenj: degradimi i ambientit dhe dëmtimi i pronës publike dhe private; keqpërdorimi i resurseve minerale; dëmtimi i të hyrave buxhetore; shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm për njerëz dhe kafshë nga lartësitë e krijuara nga shfrytëzimi i jashtëligjshëm i realizuar pa kritere të sigurisë; rreziku nga mbytja në ujërat e akumuluara në vendshfrytëzimet e jashtëligjshme; rritja e potencialit të vërshimeve të lumenjve nga prishja e shtratit të lumenjve dhe brigjeve të tyre.
Gropat e braktisura e të mbushura më ujë kanë marrë shumë jetë brenda disa vjetësh. Nga viti 2002, 11 fëmijë janë mbytur: në vitin 2018 në Istog është mbytur një e dy vjet më herët dy fëmijë në Prishtinë. Në 2015-n, dy fëmijë në Prizren e një në Mitrovicë. Në 2010-n, një person në Prishtinë e një tjetër në Podujevë. Ndërkaq në Kamenicë një person është mbytur në 2007-n e një tjetër në 2002-n.
Vëlla e motër ishin dy nga të fundosurit në një gropë të hapur në Lagjen Kolovicë të Prishtinës. Njëri ishte i moshës 11, e tjetri 13-vjeçare.
Ende nuk ka ndonjë verdikt gjyqësor për këtë rast, ndonëse prej atëherë janë bërë gjashtë kallëzime penale, si për operatorin që kishte nxjerrë zhavorr, ashtu edhe për zyrtarë komunalë. Ka ndodhur kjo, ndonëse babai i fëmijëve kishte paraqitur edhe një shkresë për përshpejtim të rastit.
Gjatë periudhës 2009-2018, autoritetet kanë mundur të evidencojnë 495 operatorë tek realizojnë aktivitete ilegale në industrinë e eksploatimit të rërës e zhavorrit, si dhe të gurit të fortë. Por rekordi i rasteve të evidencuara është shënuar sivjet, kur këtë muaj është parë bilanci i aksionit 6-mujor të AKMM-së. Janë numëruar plot 182 raste të këtilla, por vetëm diku 10-përqindëshi i tyre janë denoncuar në organin e akuzës. Janë edhe rreth 300 raste të tjera në gjykatë, që prej vitesh nuk kanë marrë epilog.
Raporti i vitit të shkuar që e ka nxjerrë KPMM-ja thekson se, një nga sfidat që e ka përcjellë këtë institucion është mosefikasiteti i organeve të drejtësisë në shqyrtimin e kallëzimeve penale të proceduara në gjykata nga ana e KPMM-se. Aty theksohet edhe se ndëshkimet nga gjykatat për operuesit e jashtëligjshëm janë relativisht të ulëta.
Kjo ka bërë që as aksionet që ndërmarrin autoritetet të mos i disiplinojnë eksploatuesit e jashtëligjshëm.
Jo veç tash, por edhe shumë vjet më parë, në Kramovik vazhdimisht është nxjerrë rërë e zhavorr jashtëligjshëm.
Kryeinspektori i KPMM-së, Fatmir Gerguri, e konfirmon këtë.
“Separacionet e rërës dhe të zhavorrit janë recidivistë në shkallë më të lartë, të cilët kanë më shumë se dhjetëra gjoba”, thotë ai. “Operatorët me më së shumti gjoba janë nga Kramoviku (Komuna e Rahovecit), pastaj Kamenica, Peja dhe Gjakova”.
Ky ambient ka bërë që edhe një nga gropat e lëna pas aktivitetit minerar të mbetet e hapur në Guri të Kuq, fshat kodrinor që shtrihet sipër Kramovikut ku nxirret me të madhe rërë e zhavorr.
M. Thaçi, banor i fshatit, thotë të jetë gjetur krom dhe se dikush ka marrë aty xehe, por nuk e ka mbyllur gropën që tash është mbushur me ujë, e për të cilën thotë të jetë pesë metra e thellë dhe se ka parë madje edhe peshq në të.
“I mbushën kamionët me xehe, edhe ikën. Po na duhet me u kujdes për fëmijët, se me shku te ajo gropë mbyten”, tregon brengën ai. “Ata edhe le të pasurohen, por sherret mos t’i lonë mbas”.