Aktuale
Ish-burgu i Gurrakocit ne gjendje te mjerueshme, aty jetojne 7 familje
OJQ Syri i Vizionit përmes një njoftimi për opinionin ka alarmuar për gjendjen e rëndë të strehimit të 7 familjeve në Gurrakoc.
Në njoftim thekson se dëshiron që ta sensibilizojë opinionin publik, në veçanti institucionet lokale dhe ato qendrore, lidhur me gjendjen e rëndë të banimit të shtatë familjeve, të cilat kanë gjetur strehim në godinën e ish-burgut në lokalitetin Gurrakoc të komunës së Istogut.
Që nga periudha e pasluftës së vitit 1999, pesë familje të komunitetit egjiptian dhe dy familje shqiptare, në mungesë të shtëpive të veta si shkak i kushteve të rënda ekonomike dhe sociale në të cilat gjendeshin, janë munduar ta sigurojnë banimin në godinën e ish-burgut, i cili gjendet në lokalitetin Gurrakoc të komunës së Istogut. Gjatë gjithë kësaj periudhe 20-vjeçare këto familje kanë banuar në këtë godinë, e cila qysh në vitin 1999 ishte në gjendje të mjerueshme dhe të papërshtatshme për të siguruar banim të rehatshëm.
Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme dhe të pareshtura të këtyre shtatë familjeve, por edhe të organizatave joqeveritare, subjekteve të ndryshme si dhe nismave të qytetarëve, të drejtuara tek institucionet kompetente e veçanërisht tek institucionet komunale të Istogut, me qëllim të rindërtimit të shtëpive ose të paktën sigurimit të një banimi të përkohshëm që i plotëson kushtet e domosdoshme për një banim të dinjitetshëm për këto familje, kushtet e banimit të këtyre familjeve në ish-godinën e braktisur të burgut në Gurrakoc janë nën çdo nivel të dinjitetit njerëzor dhe shoqëror!
Duke e pasur parasysh gjendjen e rëndë të përshkruar më lartë në të cilat jetojnë këto familje, e cila dëshmohet qartë edhe nga fotot e realizuara në ambientet ku jetojnë, OJQ Syri i Vizionit u bën thirrje institucioneve kompetente të komunës së Istogut, atyre të shërbimeve sociale si dhe ministrive përkatëse që kanë për mandat ndihmën dhe sigurimin e mirëqenies sociale për qytetarët në nevojë, që në mënyrë urgjente të ndërmarrin veprime konkrete, para së gjithash për zhvendosjen dhe akomodimin e përkohshëm në kushte të përshtatshme banimi të këtyre familjeve, dhe pastaj për sigurimin e banimit të përhershëm, përkatësisht të ndërtimit të shtëpive për këto familje në kushte të rënda ekonomike e sociale.
OJQ Syri i Vizionit do të vazhdojë ta përcjellë për së afërmi gjendjen e këtyre shtatë familjeve e po ashtu edhe hapat të cilët presim që institucionet kompetente do t’i ndërmarrin për ndryshimin e gjendjes në të cilat jetojnë familjet në fjalë.