Aktuale
LDK-ja premton ndërtimin e shtatë stadiumeve, kaq milionë ka parashikuar për secilin
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në programin e saj të shfaqur për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen me datën 6 tetor, në mesin e shumë premtimeve tjera ka premtuar edhe për ndërtimin e 7 stadiumeve regjionale.
Secili prej këtyre stadiumeve do të kushtojë 10 milionë euro dhe do t’i përkasë kategorisë IV të pranuara nga UEFA.
Krahas projektit të këtyre 7 stadiumeve, në premtimet e LDK-së hyn edhe rikthimi i Qendrës Nacionale të Sportit në Prishtinë- qendër e cila parasheh ndërtimin e Stadiumit Nacional, Pallatit Olimpik, Pishinës Olimpike, Qendrës për Trajnim dhe Fakultetit të Kulturës Fizike.
“Sporti, në veçanti futbolli është prioritet i qeverisë së LDK-së, jo vetëm në formë të promovimit të imazhit të vendit jashtë, por edhe si burim ekonomik i rëndësishëm për vendin nga i cili burojnë kaq shumë talente. Në këtë drejtim, krahas rikthimit të Qendrës Nacionale të Sportit në Prishtinë – qendër që parasheh ndërtimin e Stadiumit Nacional, Pallatit Olimpik, Pishinës Olimpike, Qendrës për Trajnim, dhe Fakultetit të Kulturës Fizike – Qeveria e LDK-së do t’i ndërtojë edhe shtatë stadiume regjionale. Të shtatë stadiumet do të jenë të kategorisë IV, të pranuara nga UEFA; ato do të jenë të shpërndara në qendrat kryesore të vendit. Kosotoja e secilit stadium do të jetë 10 milionë euro”, shkruhet në Orientimin Programor të LDK-së të publikuar nga kjo parti.