Aktuale
Lluka: AKR’ja s’do autostradë të mbyllur në Dukagjin
Për ministrin në detyrë të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, autostrada e Dukagjinit duhet të rishikohet.
Ai ka thënë se si qytetar i Gjakovës do të donte që të ketë autostradë në atë pjesë, por ka thënë se në aspektin e interesit të përgjithshëm, do të ishte shumë më mirë që në vend të autostradës së mbyllur me kosto 1.2 miliard euro, të bëhet autostradë e hapur me vetëm 30 për qind të kësaj kostoje.
Plani 20, 20, 20 i AKR-së që është në koalicion me Nismën e PD-së, sipas tij, është më i favorshëm për qytetarët e Kosovës.
“Autostrada e hapur, që bëhet në rrugën ekzistuese vetëm zgjerohet ka kosto rreth 30 për qind e kostos së autostradës së mbyllur. Sepse ka shumë më pak shpronësime dhe nuk ka rrethoja. Do të kushtonte rreth 400 milionë euro”, ka thënë Lluka në Interaktiv të KTV-së, duke treguar se çfarë është plani me pjesën e mbetur të parave.
“Me pjesën tjetër të bëjmë 20 spitale që kushtojnë nga 25 milionë euro. Po ashtu 20 shkolla, ka 5 milionë euro, si dhe 20 qendra rekreative me rreth 10 milionë euro”, ka thënë Lluka.
“Oferta jonë është që a më mirë të kemi një autostradë të mbyllur me 1.2 miliardë, a një autostradë të hapur me gjithë këto shërbime shtesë. Le të vendosin qytetarët. Dallimi i vetëm është se në autostradë të mbyllur limiti i shpejtësisë është 130 kilometra në orë, ndërsa në autostradë të hapur limiti është 100 kilometra në orë”, ka thënë ai.


