Aktuale
Fondacioni “Valon Vataj” renovon çerdhen e Suharekës, që s’u prek për 40 vjet
Pas afro 40-vjetësh çerdhja e qytetit të Suharekës mori pamjen e një objekti normal dhe me standard, ndryshe nga ajo që ishte më parë.
Për kaq shumë dekada ajo çerdhe nuk u prek nga askush që të rregullohej, e tek në fillim të këtij viti Fondacioni “Valon Vataj” dhe Komuna e Suharekës u dakorduan për renovim.
Donacioni i dhënë nga Fondacioni “Valon Vataj” u inaugurua më 20 Shtator 2019, duke i dhënë një pamje krejt tjetër prej asaj që ka pasur.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj falenderoi bartësin e fondaciont, Valon Vatajn, duke i dhuruar edhe mirënjohje.
“Për mua është sot një nder dhe kënaqësi në veçanti, për shkak se çdo ditë e më shumë po krijojmë kushte të mira, por këto kushte po i krijojmë duke falënderuar donacionet që vazhdimit janë duke ardhur në komunën e Suharekës. Merita më e madhe për këtë punë i jepet Fondacionit Valon Vataj ku ka investuar një vlerë përafërsisht 100 mijë euro”, tha ai.
Kurse, drejtoresha e këtij institucioni Arlinda Bajraktari ishte e emocionuar për këtë renovim që të gjithë edukatoret dhe fëmijët i ka bërë të qeshin sot.
“Të investosh në arsim do të thotë që je një personalitet me kulturë e edukim familjar dhe shoqëror, andaj renovimi i çerdhes është një dhuratë dhe një punë e shkëlqyer për fëmijët ku bëhet edukimi dhe socializimi i brezit të ri”, u shpreh Bajraktari.
E vet Valon Vataj, e përshkroi këtë ditë, si ditën më të mirë të tij, pasi ky kontribut u kthej buzëqeshjen fëmijëve të Suharekës.
“Tash kjo çerdhe pothuajse i plotëson të gjitha standardet më të larta për arsimim të fëmijëve. Gjithashtu besoj që kjo çerdhe do të mirëmbahet dhe do të kujdesemi në vazhdimësi që këta fëmijë pjesën më të madhe të kohës, ta kalojnë në këtë hapësirë duke u edukuar dhe duke u përgatitur për një të ardhme, pasi që brezi i ri është shpresa jonë, e ardhmja jonë”, tha Vataj.
Çerdhja u renovua nga punëtorët e kompanisë KAWA Group dhe ka kushtuar rreth 100 mijë euro.