Aktuale
Vazhdon përplasja e partive për Autostradën e Dukagjinit, kërkohet që në vend të saj të investohet diku tjetër
Magbule Shkodra nga koalicioni AAK/PSD ka thënë se shteti ka lënguar për 20 vjet nga moszbatimi i ligjit.
“Ne kemi qenë në pushtet shumë shkurt, ndërtimet nuk janë bërë për 18 muaj por në 20 vjetët e fundit dhe për këtë kohë është vështirë të korrigjohen. Ne nuk dëshirojmë të dëmtohen sipërmarrësit por duhet të zbatohet ligji”, ka thënë ajo.
Ajo thotë se në qeverisjen e AAK-së ka ardhur edhe Ligji për Prishtinën i cili për arsye politike ishte zvarritur nga partitë tjera.
Duke folur për Autostradën e Dukagjinit ajo ka thënë se Kosova nuk ka shumë autostrada, dhe përmes saj vjen edhe zhvillimi ekonomik.
“Pse mos të jetë prioritet autostrada nëse i shërben komunitetit. Është kënaqësi të shkosh në fshatra dhe nëse do të kisha buxhet do investoja edhe më shumë. Gjithçka që ua lehtëson jetën qytetarëve të Kosovës dhe mundëson zhvillimin ekonomik, pse të mos bëhet”, ka thënë ajo.
Sipas saj autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet me planin e fizibilitetit dhe nuk do ta dëmtojë buxhetin.
“Ajo nuk do të ndërtohet vetëm nga buxheti i Kosovës por edhe nga partneriteti publiko-privat”, ka thënë ajo.
Brahim Selimaj nga LDK-ja thotë se askush nuk është kundër autostradës por duhet të mendohet se me çfarë mjete duhet të ndërtohet.
“Sot jemi shtet dhe kemi mundësi t’i qasemi sistemit bankar dhe të ndërtohet autostrada, pse 1 milion nuk po merren dhe të ndërtohen vende të reja të punës. Ne nuk kemi anën elementare të zhvillimit ekonomik”, ka thënë ajo.
Sipas tij, plani i fizibilitetit nuk është arsye që të ndërtohet autostrada.
Eliza Hoxha nga PDK-ja thotë se në ligj kategorizohen ndërtimet.
Sipas saj, në lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet 70% janë njësi banimi në prona publike. Ajo tutje shton se ekziston mundësia që t’ia japësh lejen e shfrytëzimit por që toka mund të mbetët pronë publike.
Hoxha duke folur për autostradën e Dukagjinit ka thënë se duhet me mendu që ka mënyra të tjera të lëvizjes siç është zgjerimi i traseve.
Hajrulla Çeku i Vetëvendosjes thotë se situata është problematike duke shtuar se në 20 vjetët e fundit buxheti është shpenzuar pa asnjë planifikim.
“Nëse e shihni si është shpenzuar buxheti këto 20 vjet në shkolla, asfalte e tjera, është bërë pa asnjë planifikim. Arsimi është degraduar në tri pika, është sulmu mësimdhënësi, janë ndërtu shkolla që nuk është mendu arsimi po tenderët, arsimtari është i shkelur. Sot ka ende ide për ndërtim të autostradave të reja në Kosovë, dhe nëse i pyet pse nuk kanë asnjë përgjigje sepse nuk kanë asnjë plan. Planifikimi është i rëndësishëm, sepse kur e planifikon ndoshta mund të kesh nevojë edhe për më shumë shkolla”