Aktuale
Punëkryerësit e hidrocentraleve dëmtojnë parcelat bujqësore në Shtërpcë
Dhjetëra banorë të fshatit Biti e Poshtme të Komunës së Shtërpcës sërish kanë organizuar një protestë, të mërkurën, për t’i kundërshtuar punimet në ndërtimin e hidrocentraleve në këtë zonë.
Sipas banorëve, përveçse lumi Lepenc po futet nëpër gypa në mënyrë të jashtëligjshme, punëkryerësit po ia dëmtojnë edhe parcelat bujqësore gjatë punimeve. Banorët tashmë kanë vendosur çdo ditë të dalin te zona ku po ndërtohen hidrocentralet, derisa Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të reflektojë rreth kësaj çështjeje, shkruan sot Koha Ditore.
Sipas banorëve, së fundi janë dëmtuar edhe disa parcela të mbjella me fasule nga punëkryerësit. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor prej më shumë se 2 muaj e ka shpërfillur edhe shkresën e Avokatit të Popullit, i cili pati kërkuar të vendosej masë e përkohshme lidhur me çështjen e operimit të hidrocentraleve në Komunën e Shtërpcës.
Banorët e kësaj zonë disa herë me radhë kanë protestuar kundër ndërtimit të këtij hidrocentrali, sepse sipas tyre po ua dëmton tokat bujqësore, gjithashtu kjo pjesë e furnizohet me ujë të pijshëm nga Lumi Lepenc.
Banorët e Shtërpcës në Qershor të këtij viti kishtin dorëzuar një penticion në kundërshtim të ndërtimit të hidrocentralit, me rreth 1800 nënshkrime në Zyrën e kryeministrit, Kuvendit të Kosovës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planfikimit Hapësinor, Ambasadës Amerikane dhe asaj austriake.