Aktuale
Zyrtari i Krimeve Ekonomike dyshohet për “ushtrim ndikimi” në hetimin e aferës së 53-milionëshit
Një polic dyshohet se ka ndërhyrë për të komprometuar hetimin e njërës nga aferat më të mëdha të korrupsionit në Kosovë, ku dyshohet se i janë shkaktuar 53 milionë euro dëm buxhetit të Kosovës pas dështimit për të përmbushur obligimet ndaj kompanisë “Bechtel & Enka”, që ndërtoi autostradën “Arbën Xhaferi”, shkruan sot Koha Ditore.
Burime të “Kohës Ditore” brenda hetuesisë kanë thënë se për mosintervistimin e një personi në këtë rast ka ndërhyrë polici i Drejtorisë së Krimeve Ekonomike, Fadil Haliti. Policia e Kosovës ka thënë që këtë rast e ka proceduar te Inspektorati Policor, ndërkohë që IPK-ja ka konfirmuar që tashmë ka nisur hetimet ndaj këtij polici.
Ani pse në fazën kur ka ndërhyrë, sipas këtij burimi, nuk ka qenë ende e përcaktuar cilësia e të ftuarve- nëse do të deklaroheshin si të dyshuar apo dëshmitarë, ky hetues ka ndikuar tek hetuesit e Task-Forcës Kundër Korrupsionit që një zyrtar publik qeveritar i lartë të mos intervistohej fare në asnjë cilësi.
Për këto dyshime për ndërhyrje nga ky zyrtar policor, sipas këtij burimi, janë informuar drejtori i përgjithshëm i Policisë se Kosovës, Rashit Qalaj, dhe shefi i hetimeve në këtë institucion, Riza Shillova.
Qalaj nuk u është përgjigjur telefonatave të gazetës.
Prokuroria e Kosovës kishte filluar një varg dëshmitarësh në lidhje me zbardhjen e përgjegjësve që i shkaktuan 53 milion euro dëm buxhetit të Kosovës pas dështimit për të përmbushur obligimet ndaj kompanisë “Bechtel-Enka”, e cila ndërtoi Autostradën “Arbën Xhaferi”.
Kontrata fillestare për ndërtimin e autostradës Prishtinë Hani i Elezit është nënshkruar më 1 korrik 2014 me vlerë prej 599 milionë e 944 mijë e 263 euro e 55 cent (599,944,263.55 euro), mirëpo pas 1 shtatorit të 2015 ky çmim ishte rritur për mbi 8 milionë euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16% në 18%.
Pra, shifra e shpenzimit për këtë autostradë kishte arritur shifrën e 608 milionë e 348 mijë e 430 euro e 87 cent (608,348,430.81 euro).
Përmes këtij memorandumi, Ministri Pal Lekaj njofton Qeverinë për kërkesat e kompanisë Bechtel Enka, të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit plotë 53 milion euro.
Më 5 qershor të vitit 2018, Qeveria e Kosovës kishte ndarë 53 milionë euro shtesë për “Bechtel Enkan” për autostradën Prishtinë- Hani i Elezit.
Kontraktori, në këtë rast kompania “Bechtel&Enka” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës 16 milionë e 600 mijë euro për dëmin indirekt apo shpenzimet për personelin menaxhues që kanë administruar me projektin.
Ndërsa, 36 milionë e 300 mijë euro “Bechtel & Enka” i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës duke u bazuar në përdorshmërinë e pajisjeve. Tek ky shpenzim përmenden dy shifra. Fillimisht është një kërkesë për 30.8 milionë euro, mirëpo në kalkulimet përfundimtare është 36.3 milionë euro. Pra, në fakturen që do të paguaj qeveria është 5.5 milionë euro më shumë.
Kjo autostradë që lidh Prishtinën me Shkupin, është lëshuar për qarkullim më 29 maj të këtij viti.