Aktuale
Autostrada e Dukagjinit vazhdon të ngjallë debat në mesin e partive politike
Përfaqësuesit e partive kryesore politike në vend po diskutojnë rreth asaj se a duhet të ndërtohet Autostrada e Dukagjinit.
Armend Zemaj nga radhët e LDK-së ka folur për ndërtimin e Autostrdës së Dukagjinit nëse duhet të ndërtohet ajo ose jo. Sipas tij, LDK-ja nuk e sheh Kosovën e ndarë, por skepticizmi i këtij projekti lidhet me fillimin e tij dhe me ata që e kanë projektuar, të cilët nuk kanë dhënë detaje për të. Kjo autostradë, sipas Zemajt, është krijuar në interesa të koalicionit PAN.
Ndërsa Liburn Aliu nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kjo autostradë ka për ta rrënuar Dukagjinin. Ai i ka “rekomanduar” se për ta ndihmuar Dukagjinin më mirë do të ishte që ato para të investoheshin për zhvillim ekonomik e pas kësaj të ndërtohej edhe autostrada.
“Nëse dëshiron me e zhvillu Dukagjinin duhet të investohet, por ato pare le të hyjnë në zhvillim ekonomik. Kur të fillojnë zhvillimet edhe kanë nevojë për autostrade atëherë të fillojë edhe autostrada.
Dukagjinin ke me e rrënu me këtë autosradë, ke për të blloku të gjitha bizneset atje”, ka thënë Aliu.
E Rexhep Kadriu nga AAK ka treguar se cilat janë arsyet se pse kjo autostradë duhet që të ndërtohet. Sipas tij ndërtimi i Autostradës së Dukagjinit do të shtojë sigurinë, meqë me tipin e kësaj autostradë që do të ndërtohet shpejtësia maksimale e saj do të arrije deri në 100 kilometra në orë. Po ashtu, sipas tij kjo do të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të zonës së Dukagjinit.
“Dukagjini e meriton autostradën dhe pikë”, ka thënë ndër të tjera Kadriu.
Për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit ka folur edhe Çerkin Dukolli nga Nsima, i cili ka thënë se Nisma vazhdon ta ruaj mendimin se kjo autostradë duhet të jetë ë tipit të hapur, për shkak të sigurisë që ky tip jep si dhe ka shpenzime më të vogla se sa ajo e mbyllur.
“Autostrada e tipit të hapur kursen 3 deri në 4 milionë euro të buxhetit gjatë shpronësimeve”, ka thënë Dukolli.